Sulmi në Zubin Potok, BE dënon aktin terrorist
Bashkimi Europian dënon sulmin e së premtes ndaj kanalit të ujit Iber Lepenc në Zubin Potok, në veri të Kosovës. Ky sulm është një akt sabotimi ndaj infrastrukturës kritike civile të Kosovës, thuhet në deklaratën e BE. Kanali furnizon me ujë të pijshëm një pjesë të konsiderueshme të popullsisë dhe është një element jetik i sistemit energjetik të vendit.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së shprehu mbështetjen për autoritetet kosovare dhe theksoi se BE po koordinon hapat e mëtejshëm me partnerët përkatës, përfshirë misionin e KFOR-it në terren. Gjithashtu, misioni civil i sundimit të ligjit i BE-së, EULEX, po ndihmon autoritetet e Kosovës në përputhje me mandatin e tij.
Ai shprehu solidaritet me qytetarët e prekur nga ky sulm dhe komunikoi personalisht këtë mbështetje me Kryeministrin Albin Kurti. BE-ja ka kërkuar hetim të plotë për këtë veprim kriminal dhe vënien para drejtësisë të autorëve. Deklarata apelon për bashkëpunim të plotë nga të gjithë aktorët për të zbardhur ngjarjen dhe thekson se BE-ja do të ndjekë nga afër zhvillimet.