Super aksioni, policë të huaj nga 5 shtete në rrugët shqiptare
Policia shqiptare do të patrullojë këtë sezon turistik me pesë polici të tjera të rajonit. Me atë italiane, kosovare, malazeze, kroate dhe maqedonase.
Për herë të parë u firmos marrëveshja për patrullime të përbashkëta mes Policisë së Shtetit dhe Policisë italiane në kuadër të sezonit turistik. Do të jenë 6 punonjës të Policisë italiane që do të patrullojnë krah Policisë shqiptare në Durrës, Vlorë dhe Sarandë, ku numri i turistëve italianë është më i lartë.
Ky është pakti i arritur këtë të hënë mes Ministrisë sonë të Punëve të Brendshme dhe asaj italiane, me qëllimin për t’iu ofruar një ndihmesë më të madhe turistëve italianë, një marrëveshje që parashikon aktivizimin e patrullave dypalëshe nga 16 korriku deri më 31 gusht, në Durrës, Vlorë e Sarandë.
Gjatë ceremonisë të fillimit të patrullimit të përbashkët, Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu deklaroi se këto iniciativa do t’i vijnë në ndihmë pushuesve italianë që kanë zgjedhur të kalojnë pushimet në vendin tonë.
Sipas njoftimit, agjentët e policisë italiane do të kryejnë patrullime në këmbë, të veshur me uniformë dhe do t’u vijnë në ndihmë operatorëve të policisë shqiptare, për të lehtësuar në këtë mënyrë kontaktet e turistëve italianë me autoritetet shqiptare.
Në kuadër të masave për rritjen e sigurisë gjatë sezonit, Policia e Shtetit ka marrëveshje edhe me Policinë e Kosovës, Malit të Zi, Kroacisë e Maqedonisë.
Ambasada e Italisë në Tiranë zotohet që të vendosë në dispozicion të turistëve italianë, që vizitojnë Shqipërinë, të gjithë rrjetin konsullor në kryeqytet dhe në Vlorë, duke iu ofruar atyre mundësinë të konsultojnë informacionet e dobishme për udhëtim. Italianëve do t’u duhet gjithashtu të sinjalizojnë praninë e tyre dhe të dhënat personale një një portal të dedikuar për këtë çështje.
KOHA JONË SONDAZH

