Sylvinho! Je tallur sa munde me një komb, por edhe me veten! Ky edhe zëvëndësimet i bën duke mbaruar ndeshja!
-Nga Ben Manaj-
Po si ka mundësi? Asnjë reflektim për këtë dështim, në rastin e parë kur mund të shkonim më tej?!
Trajneri ka arritur shumë me Shqipërinë, padyshim. Por po aq e padyshimtë është se sonte dështoi në mënyrë të shëmtuar, për shkak të mënyrës se si nuk menaxhoi dot një ndeshje që mund të kishte pasur një tjetër rezultat.
Ai sot duhej të jepte dorëheqjen!
Analistët e sportit dhe disa ish-sportistë u shfaqën tejet mendjeshkurtër dhe konformistë. Po kush jep dorëheqje në Shqipëri?!
Sylvinho tregoi se është një trajner i vogël, madje nën nivelin mesatar të tifozërisë, e cila kërkonte zëvendësime të qarta – si futjen e Ernest Muçi apo largimin e Nedim Bajrami – ndërsa ai e fut Muçin, lojtarin më në formë, në minutën e 80-të!
Më thoni kur ka bërë ky trajner një zëvendësim para minutës së 65-të në çdo ndeshje që ka drejtuar?
Ta gëzojmë edhe në kompeticionet e tjera! Kaq mban “fasulja” edhe për Silvinjon!
Dhe së fundmi, urime Kosovës! Ata kanë ekip dhe trajner! Edon Zhegrova, një nga talentet më të mëdha të Kosovës, nuk aktivizohet fare, ndërsa te ne aktivizohet Bajrami pa qenë në formën më të mirë.
Ky është dallimi mes dy trajnerëve.
Faleminderit për sa arritët, por do të mbaheshe mend më gjatë nëse do të jepje dorëheqjen, sepse vjen nga një botë futbolli dhe mentaliteti më të madh se ai shqiptar. Fatkeqësisht, je “çbrazilianizuar” dhe je “shqiptarizuar” në mentalitet!
Mua, si tifoz, më ke humbur. Ti je një trajner mediokër – dhe jam i bindur se edhe një pjesë shumë e madhe e tifozëve shqiptarë, në mos shumica, ndajnë të njëjtin mendim.
Sonte je tallur sa munde me një komb, por edhe me veten!
Së fundmi, Ernest Muçi, nëse ka pak dinjitet, si dikur Taulant Xhaka, duhet të largohet nga Kombëtarja për aq kohë sa trajner është ky që është. Është çështje vetërespekti. Kur dikush të tregon vazhdimisht mosrespekt, nuk ke asnjë detyrim ndaj tij.
Detyrimin ndaj vendit dhe Kombit, Muçi e ka treguar sa herë është thirrur – ndërsa trajneri e ka injoruar.
Le të përqendrohet te klubi ku luan dhe të dëshmojë vlerat e tij, në mënyrë që t’i bëjë të ndihen keq ata “trajnerucë” që paguhen me paratë e shqiptarëve dhe luajnë me emocionet e një kombi!
KOHA JONË SONDAZH

