”Ta paguaj unë pijen”, por polici e vrau me plumb në zemër

Vrasja e të riut me një plumb në zemër, në kasën e një marketi, është një krim që tregon gjendjen ku ndodhet sot shoqëria dhe policia shqiptare. Autori i vrasjes së 29-vjeçarit Jurgen Duka është në kërkim, por në pranga ka rënë Orgest Drazhi, 36-vjeç, shok i viktimës. Ai është arrestuar nga policia për moskallëzim krimi. 36-vjeçari ishte prezent në konfliktin e çastit që ndodhi mes Dukës dhe efektivit të policisë Arbër Sulës.

Shkaku që çoi në acarimin e situatës, është se Jurgen Duka ka tentuar edhe t’i paguaj pijet policit Sula, veprim që duket edhe përmes videos. Pagesa është tentuar të bëhet me idenë “nuk më plas mua, unë paguaj edhe pijet e tua”. Kjo më pas ka sjell edhe acarimin e policit, i cili e ka kundërshtuar, dhe pas konfliktit ai e qëlloi me një lëvizje të shpejtë në zemër.

Viktima dhe autori nuk njiheshin fare me njëri-tjetrin. Detajet e zënkës janë konfirmuar edhe në dëshminë e Orgestit. Ngjarja e rëndë ndodhi pak pas mesnatës (14 dhjetor), në një supermarket në Tiranë në rrugën Irfan Tomini.

Fillimisht Jurgeni ka mbetur i plagosur ndërsa ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës në Tiranë pasi plumbi e preku në zemër. Sakaq, policia ka marrë në pyetje disa persona në lidhje me krimin ndërsa në xhepat e rrobave të viktimës është gjetur 2.8 gramë kokainë.

Agjenti i krimeve në Dibër njihej si një efektiv i qetë, ndërsa ditën e djeshme atij i ishte caktuar edhe data që do të kryente testin e drogës. Ky proces ka nisur prej disa javësh në radhët e punonjësve të Policisë së Shtetit, ku deri tani me dhjetëra policë janë larguar nga detyra.

Është tragjike dhe alarmuese shkaku i vrasjes, dhe kërkon menjëherë që Policia të marrë masa dhe të kontrollojë gjendjen emocionale ku gjenden sot efektivët e armatosur.

SHKARKO APP