Tabaku: Dhuna ndaj protestuesve dhe gazetarëve, e ngjashme me atë të një vendi totalitar
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka dënuar ashpër dhunën e ushtruar ndaj protestuesve, duke e cilësuar atë si të pazakontë dhe të ngjashme me praktikat e një regjimi totalitar. Nga Spitali Ushtarak, ku kishte shkuar për të vizituar protestuesit e lënduar, Tabaku u shpreh se pavarësisht përvojës shumëvjeçare me protestat, nuk kishte parë më parë një nivel të tillë dhune nga policia.
“Për shumë vite me radhë kam parë protestat, por nuk kam parë ndonjë dhunë si kjo të policisë. Kjo është dhunë e pazakontë. Dhuna ndaj të rinjve dhe gazetarëve ka qenë si ajo e një vendi totalitar”, deklaroi Tabaku. Ajo e konsideroi ngjarjen si një tregues të arrogancës së pushtetit, duke theksuar se ndryshimet në drejtimin e komisariateve nuk përbëjnë zgjidhje për situatën.
Sipas deputetes demokrate, largimi i kryeministrit Edi Rama është e vetmja rrugë për të sjellë ndryshimin, ndërsa konfirmoi mbështetjen e saj për protestat kundër qeverisë. “Sa shefa komisariatesh kemi ndryshuar ne, zgjidhja është vetëm largimi i Edi Ramës. Ne do të mbështesim çdo protestë që bëhet kundër qeverisë”, përfundoi Tabaku.

