Tabaku: Qeveria me afera të mëdha, Ahmetajt i kam bërë ftesë të bashkëpunojë me drejtësinë

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku thotë se i ka bërë ftesë e para ish-ministrit Arben Ahmetaj që të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë. Për të në atë kohë njerëzit çuditeshin për atë ftesë, por sot sipas saj, Ahmetaj po denoncon skandalet e qeverisë. Ajo tha gjithashtu se në 12 vitet e qeverisjes së kryeministrit Edi Rama ka afera korruptive me përmasa të jashtëzakonshme që duhen hetuar nga SPAK.
”Ndodhemi në një moment që ka prokurorë me integritet, por ka edhe shumë pikëpyetje për çështje të caktuara. Opozitës i interesojnë dy gjëra. Së pari, drejtësia të jetë e pavarur dhe të mos ketë asnjë lloj presioni politik dhe më vjen keq të të them se ditët e fundit kanë treguar se presioni politik ekziston dhe është prezent atje.
Ajo që kryetari i bashkisë së Tiranës po bën është një gjuhë që nuk i takon një politikani të vendeve komuniste, jo një politikani të ri të Shqipërisë së 2024. Dhe së dyti ajo që i intereson PD-së dhe opozitës është që drejtësia të shkojë aty ku është pushteti. Sepse në këto 12 vite kemi faktuar afera korruptive të përmasave të jashtëzakonshme. Me Arben Ahmetajn nuk doja të merresha, pasi në nivel personal nuk dua të merrem me askënd.
Ahmetaj ishte ai që e kishte kryer korrupsionin, që kishte sjellë kompaninë, që kishte marrë vendimet. Tani që Ahmetaj është para drejtësisë, i kam bërë ftesë e para që të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë. Atherë kisha qindra mesazhe që më thonin ‘si ka mundësi që i bën këtë ftesë Ahmetajt’. Sot Ahmetaj është duke denoncuar dhe shpresoj që ai të ketë prova dhe fakte konkrete, pasi një pjesë të tyre ne i kemi denoncuar”, tha Tabaku në ”A2cnn”.