Tafaj: Ligji i arsimit, jo këtë vit formulë të re
Ish-Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, bën përgjegjëse Ministrinë e Arsimit lidhur me problematikën e pranimit në Universitete me të cilën u përballën këtë vit maturantët.
I ftuar në studion e lajmeve në Ora Neës, Tafaj tha se MAS i dha veprim prapaveprues ligjit të arsimit të lartë, që as vetë ligji nuk e kishte parashikuar.
Tafaj thotë se formula e re duhej të zbatohej vetëm për maturantët e vitit 2018.
“Nga ana tjetër ligji nuk e detyronte qeverinë të zbatonte këtë vit formulën e re. Ligji shprehet në mënyrë shumë neutrale, thotë pranimet bëhen mbështetur dhe në kriteret që propozojnë Universitetet, KM përcakton një notë mesatare, kjo nota e famshme që zhdukën notën 5 nga sistemi. Në fakt cilësia e 5 nuk është zhdukur, është zhdukur nota. Tani fillon nga 6. MAS nuk kishte pse të përshpejtonte sepse pranimi mbështetet në rezultatet e shkollës së mesme, puna e nxënësve në 3 vite mbi bazën e një plani mësimor. Nuk mundesh të pretendosh që ligji të hyjë në fuqi në tetor të 2015, ndërkohë që 3 javë më vonë, me 1 nëntor 2015 studentët kanë përcaktuar cilat lëndë do japin provim matyre. Pastaj nxjerr kriteret në shkurt, kur maturantët ishin 3 muaj para provimeve të matures”, tha Tafaj.
Sipas ish-ministrit Tafaj duhet të ishte vazhduar edhe këtë vit me ligjin e vjetër.
“Me këtë veprim MAS i dha veprim prapaveprues ligjit, gjë që nuk e parashikon as vetë. Në mënyrë krej normale duhet të ishte vazhduar me sistemin e vjetër. Kjo formulë duhej të zbatohej vetëm për maturantët e vitit 2018, sepse këta nxënës kanë nisur gjimnazin vitin e kaluar kur ka hyrë në fuqi ligji. Kjo është praktika e mirë ligjore”, theksoi Tafaj.
Tafaj ndan rezerva për formulën e re kur bëhet fjalë për zhvlerësimin e 5 provimeve të maturës.
“Formula është ndërtuar mbi bazën e mllefit dhe anatemimit të maturës shtetërore sepse është diskriminuar puna e maturantëve për të përfunduar sistemin e mesëm. Ne lamë mesataren 20%, me formulën e re shkon dhe 50%. Kjo godet në palcë peshën që zënë 5 provimet e maturës. Në çdo vend ku aplikohet një maturë shtetërore, kjo e Shqipërisë nuk është një shpikje, nuk mund ta mohosh. Ta zbresësh nga 80 që ishte në 50% ose më poshtë se kaq.Kjo sepse matura realizohet me 5 provime përfundimtare kombëtare të cilat nuk janë provime klase në shkollë, por është vlerësim i jashtëm apo ekspert. Në të gjitha rastet janë shumë më të besueshme, shumë më të mira, shumë më të sakta se provimet e klasës”, tha Tafaj.
KOHA JONË SONDAZH

