Tahiri: Adresat, nuk do ketë më “Ku banon?”
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri nga qyteti i Durrësit ka deklaruar se tashmë kemi hyrë në fazën e dytë të projektit të Ndërtimit të Regjistrit Kombëtar të Adresave dhe popullimin e tij.
Ministri Tahiri ka theksuar se faza e dytë e cila është edhe më e rëndësishmja, konsiston në verifikimin e të dhënave në terren dhe atë të popullimit të dhënave në sistem.
‘’Deri më sot ngritëm infrastrukturën bazë për të populluar të dhënat. Nga sot e tutje punën e kemi me qytetarët, nga sot e tutje punën e kemi në territor, punën e kemi derë më derë me qytetarët shqiptarë. Për të trokitur një herë, dy herë, dhjetë herë, deri kur të kemi të dhënat e sakta për “kush banon, ku” tha ministri Tahiri.
Aktualisht në qarkun e Durrësit janë mbi 100 mijë shtetas që nuk kanë adresë të deklaruar theksoi ministri Tahiri dhe kjo për shkak të lëvizjeve demografike por edhe emigracionit. Por së shpejti kësaj situate do t’i jepet fund.
‘’Ne po mundohemi (dhe ky proces është ekzaktësht për këtë) të zhdukim Shqipërinë në errësirë, të regjistrojmë të gjithë njerëzit dhe adresat e tyre (pra të bëjmë “Popullimin” e regjistrave), në mënyrë që mos t’i përgjigjemi më me hamendje apo përafërsi pyetjes “Sa jemi dhe ku banojmë?”. Qoftë dhe në Qarkun e Durrësit e në çdo cep të Shqipërisë’’, shtoi ministri Tahiri.
Ai tha se për shkak të këtij kaosi të shkaktuar në mbi dy dekada shumë qytetar nuk kanë marrë shërbimin e merituar.
‘’Kjo është fatale, për sa kohë dëmton ose e kthen në të pamundur mundësinë që këtyre njerëzve shteti apo institucionet t’u gjenden ashtu siç meritojnë. Dhe janë njerëz që paguajnë taksa, që në shumicën dërrmuese respektojnë ligjit, që nuk i kanë askujt e asnjë institucioni borxh, që paguajnë detyrimet dhe meritojnë mbi të gjitha dinjitet e sigurisht shërbime dhe janë jashtë çdo radari shtetëror. Janë në errësirë totale sepse shteti as nuk di se ku banojnë’’, theksoi ndër të tjera ministri Tahiri.
KOHA JONË SONDAZH

