Tahiri: Akuzat e SHQUP-it konfirmojnë drejtimin tonë të duhur
“Ne mundohemi t’i shërbejmë sa më mirë qytetarëve, ata hedhin baltë mbi Policinë e Shtetit”.
Kështu ka deklaruar ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri nga qyteti i Lushnjes në lidhje me akuzat e opozitës, se Policia e Shtetit është e implikuar në trafikun e drogës me anë të avionëve.
“Sqarimi përkatës u bë dhe institucionet shtetërore e bënë shumë të qartë të vërtetën institucionale dhe të vërtetën e vetme, lidhur me të ashtuquajturën fluturim avionësh apo ulje avionësh droge. Por ju të vërtetën e shikoni mjaft qartë. Ne punojmë ata gënjejnë. Ne mundohemi t’i shërbejmë sa më mirë qytetarëve ata hedhin baltë mbi Policinë e Shtetit. Policia korr rezultate të cilat konfirmojnë se jemi në rrugën e duhur, ata hedhin akoma më shumë akuza ndaj Policisë së Shtetit’’, tha ministri Tahiri.
Ai shtoi se po bëhet gjithçka që është e mundur që qytetarët bashkë me Policinë të garantojnë një shoqëri më të drejtë dhe më të sigurtë ndërkohë që opozita vijon sulmet ndaj Policisë së Shtetit.
‘’Është kjo arsyeja pse pas çdo rezultati të Policisë të Shtetit ka një akuzë nga SHQUP-i. Kjo ne nuk na dekurajon, kjo vetëm na jep mundësinë për të konfirmuar që jemi në rrugën e duhur nga njëra anë dhe nga ana tjetër, besoj unë, i qartëson qytetarët se në cilën derexhe ishim deri në 2013, cila është rruga që po ndjekin nga 2013 e këtej, cilat janë arritjet tona, të cilat pavarësisht se nuk janë të mjaftueshme edhe për ne, janë nxitëse për rrugën që kemi nisur dhe drejtimin që kemi marrë’’, theksoi ndër të tjera ministri Tahiri.
KOHA JONË SONDAZH

