Tahiri: Efektivi Basha u vra pabesisht, nga disa frikacakë që do të marrin përgjigjen e duhur

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka folur mbi ngjarjen në Lazarat, duke e cilësuar vrasjen e efektivit të RENEA-s, si një akti i pabesë që është kryet nga disa frikacakë, të cilët premtoi se shumë shpejt do të marrin ndëshkimin që meritojnë në bazë të ligjeve në fuqi.

“Ajo që ka ndodhur ka qenë një patrullim normal, por që u bë i jashtëzakonshëm pasi u qëllua me armë. Policia ndaloi një automjet dhe drejtuesin e saj, kur papritur u qëllua pabesisht”, – ka sqaruar Tahiri.

Duke folur për rrethanat eventuale të kësaj ngjarjeje, Tahiri ka vlerësuar se, “mungesa e shtetit në Lazarat nuk mund të zhbëhet brenda një viti, apo përmes një aksioni”, duke iu referuar operacionit të një viti më parë që çrrënjosi kanabisin.

“Efektivi Ibrahim Basha u vra në mënyrë të pabesë nga disa frikacakë”, ka thënë më tej Tahiri, i cili ndonëse ka refuzuar ta politizojë ngjarjen, i ka bërë një apel opozitës.

“Nuk dua të bëj politikë me këtë ngjarje, por opozita nuk ka gjetur kurrë kurajon të mbështesë Policinë e Shtetit në luftën kundër bandave kriminale, siç është kjo në Lazarat. Opozita para se të kërkojë transparencë bën mirë të dënojë hapur ngjarjen, që ka si protagonistë disa frikacakë që fshihen skutave dhe godasin policinë”, ka thënë Tahiri.

I pyetur mbi detajet e ngjarjes, ministri i Brendshëm është përgjigjur duke thënë se, “transparencën le t'ia lëmë hetimeve. Nuk mund të prononcohem para punës së hetuesve dhe prokurorëve. Por ai që e bëri do të përballet me pasojat e paimagjinueshme të drejtësisë”.

Ndërsa, “policia në operacionin ndaj bandës do të veprojë sipas ligjit”, ka shtuar ai. “Kush do qoftë që mban përgjegjësi për këtë që ka ndodhur do të ketë pasoja të paimagjinueshme të shtetit, të ligjit dhe të drejtësisë. Policia do të veprojë sipas ligjit dhe aty është e parashikuar qartë se si veprohet ndaj personave që mbajnë armë apo që qëllojnë kundër policisë”, tha Tahiri.

Tahiri ka hedhur poshtë zërat për një ndërhyrje të pa organizuar të policisë në fshat, duke nënvizuar se gjithçka kishte qenë e përgatitur në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Nga ana tjetër, nuk ka pasur një koordinim me SHISH, sepse nuk ka pasur të dhëna për një prirje ekstremiste të të dyshuarve, referuar disa fotove të tyre në rrjetet sociale, ku ata shfaqeshin me një shenjë, që u atribuohet militantëve të Shtetit Islamik, ka shtuar Tahiri.

“Informacione nga Shërbimi Informativ nuk ka pasur, qoftë për tendenca ekstremizmi të dhunshëm me bazë fetare në atë zonë. Ne kemi informacion që disa njerëz e kanë këtë prirje, por mbetet që hetimet ta zbardhin se kush është motori që i ka shtyrë këta persona të qëllojnë me armë kundër policisë”, tha Tahiri.

 

Pas vrasjes së një efektivi të RENEA dhe plagosjes së tre të tjerëve në Lazarat, RENEA dhe forcat speciale kanë pritur zbardhjen e ditës së sotme për t’u rifutur sërish në fshatin rebel të Gjirokastrës.     

RENEA dhe FNSH nisën pak minuta pas orës 6.00 të mëngjesit aksionin e radhës në fshatin Lazarat. Me mjete të blinduara dhe qindra forca ndodhen në terren. Ka nisur kontrolli banesë më banesë për të gjetur armët dhe personat e “grupit të zjarrit”. RENEA është e fokusuar veçanërisht për të kapur vrasësit e efektivit të policisë, Ibrahim Basha.

Të parat që janë kontrolluar ishte banesa e vëllezërve Aliko, të akuzuar si anëtarë të “grupit të zjarrit” si edhe banesa e Sebastian Shurdhit. Ky i fundit iu dorëzua policisë  në Fier dhe është shoqëruar në Komisariatin e Gjirokastrës. Kontrollet po vazhdojnë në çdo banesë me shumë imtësi dhe me masa të larta sigurie.  

RENEA kërkon dorëzimin e të kërkuarve të tjerë por  nëse ata të reagojnë me armë, e kanë marrë paralajmërimin se do të asgjësohen, pa asnjë hezitim. Policia ka marrë masa për të evituar çdo rrezik nga ana e saj, pasi janë instaluar snajpera dhe kamera që kontrollojnë çdo lëvizje të dyshimtë. Paralajmërimi se çdo tentativë tjetër për të qëlluar ndaj policisë do të marrë “përgjigjen e duhur” ka dhënë efektet e para, sepse mbi gjysma e personave të shpallur në kërkim nga ana e policisë në listën me 21 persona janë vetëdorëzuar në postbllokun e policisë që ndodhet në hyrje të fshatit Lazarat.

Personat e kapur deri më tani janë: Zhaklin Derxho, Gurim Skënderi, Albon Medi, Denis Mahmutaj, Eligent Basha, Sinan Rabaj, Jeton Kalemi, Xhuljan Nuri, Fatmir Gërveshi, Xhemil Gjolleshi, Rustem Mahmutaj si dhe Sebastian Shurdhi.

Ndërkohë, në mëngjes një grup hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda i kryesuar nga prokurori Adnan Xholi, mbështetur nga forcat RENEA, ndodhet n ë Lazarat ku po kryen hetimet e ngjarjes së rëndë të një ditë më parë. Janë evidentuar rreth 10 vatra zjarri ku janë sekuestruar mbi 100 gëzhoja kallashnikovi dhe mitralozi, një granatë dhe një thikë.

SHKARKO APP