Tahiri në burg, Dhoma Amerikane e Tregtisë: Drejtësia nisi të zgjohet

Dhoma Amerikane e Tregtisë ka komentuar dënimin me burg të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Presidenti Enio Jaço shkruan se ky vendim ka ndezur sinjalin e parë se Drejtësia në Shqipëri po nis të zgjohet. Ai thotë vendimi për ish ministrin, nuk do të thotë se drejtësia në vendin tonë sot është perfekte. Sipas Jaços, ku mund të jetë një fillim i gjatë në kohë.

Reagimi i plotë

Dënimi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ka ndezur disi sinjalin e parë se Drejtësia në Shqipëri po nis të zgjohet.

Pavarësisht masës së dënimit që kërkon guxim dhe “stomak të fortë” ligjor e profesional, fakti se zyrtarë apo ish-zyrtarë në nivelet më të larta të qeverisë mund të ndëshkohen po ç’rrënjos kulturën primitive, që përbën thelbin e problemeve në Shqipëri. Një fenomen i ngritur me shqetësim nga Dhoma Amerikane për padrejtësitë që prej vitesh vuajnë bizneset e ndershme në dyert e gjykatave, e që gjithashtu mban larg investitorët e huaj.

Por vendimi për ish ministrin, s’do të thotë se Drejtësia sot është “perfekte”. Njerëzit kanë të drejtë të jenë skeptikë, sepse Shqipëria në historinë e saj nuk e ka njohur pothuajse kurrë Shtetin Ligjor, ka vuajtur nga një “Drejtësi e Përçudnuar” nën regjimin komunist, e më pas ka vuajtuar një Kapje të saj pas viteve ’90.

Ky mund të jetë një fillim i gjatë në kohë, megjithatë sado i vakët të jetë ka bërë që sot disa njerëz të ndershëm të ndihen pak më mirë, disa të heshtin dhe të presin më tej dhe disa të pandershëm por të fuqishëm të ndihen në siklet, e ndoshta dhe në panik! Por që drejtësia të nisë të gëzojë Besueshmërinë e njerëzve do duhet kohë, dhe më shumë vepra reale të tilla, që të nisë të japë efektet e saj.

SHKARKO APP