Tahiri replikë me Berishën: Ndalni sulmet mbi policinë
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i bëri thirrje opozitës të ndalë sulmet dhe t’i drejtohet prokurorisë për çdo akuzë që ngre.
Duke folur nga seanca plenare, në një replikë më ish-kryeministrin Berisha, ministri Tahiri tha se sa herë policia godet krimin, nga opozita hedh baltë mbi uniformat blu.
“Llumi i akuzave duhet të marrë fund. Sot policia po bën histori suksesi, me luftën kundër krimit, korrupsionit.
Policinë e Shtetit e sulmoni sa herë bën sukses, kjo bën që t’i dilni në krah botës së krimit. Dilni mbi politikën dhe interesin partiak, dhe mbështeteni policinë për atë që bën. Hajdeni të korrigjojmë bashkë edhe problemet nëse ka, por ky është interesi i shqiptarëve”, u shpreh ministri i Brendshëm.
Ai shtoi se demokratët po mbronjnë ata që ju kanë blerë zyrat dhe shtëpitë.
Në fund, ministri e mbylli me një apel që e ka përsëritur disa herë në Parlament.
“Hajde dhe votoni reformën në drejtësi, pse vini këtu dhe bëni debat. Ky është guri i provës, dhe lërini pretekstet. Nëse nuk doni ta votoni, thuajeni hapur.
Ky parlamanet nuk ka legjitimitet nëse nuk voton reformën në drejtësi, sepse e duan 99.99 % e shqiptarëve. Veç atyre që kanë një problem apo frikë nga reforma në drejtësi”, theksoi Tahiri.
KOHA JONË SONDAZH

