Tahiri: Shqipëria kërkon ndihmën e Italisë për kontrollin kufitar

Shqipëria kërkon ndihmën e Italisë për kontrollin kufitar, në mënyrë që të parandalojë vërshimin drejt saj të emigrantëve të dëshpëruar për të arritur Europën Veriore.

Kështu u shpreh ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri.

“Shqipëria ka kërkuar ndihmën e Italisë për të forcuar kontrollet e saj kufitare dhe për t’u përballur me problemet e ndryshme të sigurisë që do të shfaqeshin në rast vërshimi të emigrantëve drejt kufijve shqiptarë”, u shpreh Tahiri.

Sipas tij, Shqipëria nuk mund të përballet e vetme me një valë emigrantësh.

Teksa shtoi se ministri i Brendshëm italian, Angelino Alfano do të vizitojë kryeqytetin shqiptar javën e ardhshme, për të diskutuar një reagim të përbashkët në rast të një fluksi masiv të emigrantëve.

Shqipëria shpreson për mbështetje teknike dhe personeli në kuadër të ndihmës policore për të kontrolluar, regjistruar e verifikuar dokumentet e emigrantëve në hyrje. Ndërsa komisioneri Evropian i Migrimit, Dimitris Avramopoulos të premten pritet për bisedime në Tiranë.

Shqipëria është në pritje të “një vendim të përgjithshëm” në nivel evropian për përballimin e krizës, por “në asnjë rast nuk ka ndërmend të hapë kufijtë për emigrantët”, ka thënë Tahiri. Ai shtoi se se “tani për tani”, situata ishte “e qetë”.

“Policia ka rritur kontrollet dhe për momentin nuk ka pasur ndonjë përpjekje nga emigrantët që të kalojnë kufirin shqiptar”, tha ministri.

Më shumë se një milion emigrantë dhe refugjatë kanë mbërritur në Evropë që nga viti i kaluar, duke e zhytur kontinentin në krizën më të thellë të emigracionit që prej Luftës së Dytë Botërore.

SHKARKO APP