Tahiri: Zero shqiptarë drejt Sirisë

Përfaqësues të 12 vendeve janë mbledhur sot në Tiranë në një samit ku do të diskutohet mbi çështjet që lidhen me radikalizmin e dhunshëm dhe bashkëpunimin në luftën kundër këtij fenomeni. Përveç ministrave të Brendshëm të vendeve të rajonit, marrin pjesë edhe përfaqësues të disa vendve të BE, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfaqësohen nga Zv/Sekretarja amerikane e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Sarah SeWall e cila po mban një fjalë. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi se “tashmë janë përcaktuar disa objektiva bazë për luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm”.

“Tendencat e terrorizmit janë më shqetësuese se kurdoherë tjetër. Të krijojmë ekipe hetimesh të përbashkëta, të shkëmbejmë informacionet. Kriminaliteti dhe ekstremizmi i dhunshëm nuk njohin kufij”, tha ai. Sipas ministrit të Brendshëm masat e forta kanë çuar në zero numrin e personave që nisen për të marrë pjesë në luftë, në kuadër të Shtetit Islamik. “Bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese me rezultate pozitive. Është ulur gati në zero numri i personave që mund të nisen në vendet e luftës” tha Tahiri. Sipas Tahirit është rënë dakord që qasja ndaj terrorizmit të jetë një qasje e përgjithshme dhe jo vetëm një qasje force.

“Çka do të thotë më shumë përpjekje që duhen bërë për luftën kundër varfërisë, kundër injorancës dhe mungesës së arsimit, forcim të zhvillimit ekonomik në mënyrë të qëndrueshme, e pastaj sigurisht përpjekjet e agjencive ligjzbatuese që nga shkëmbimi informacionit deri tek aksionet e përbashkëta”, u shpreh Tahiri. 

SHKARKO APP