Takim i fshehtë i ambasadorit të BE me Vitore Tushën? Gjykata Kushtetuese: Janë spekulime. Ja e vërteta

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, e cila akuzon se kryetarja e këtij institucioni, Vitore Tusha është takuar në mënyrë të fshehtë me ambasadorin e BE, Luigi Soreca.

Nëpërmjet një shkresë, Gjykata Kushtetuese i ka kthyer përgjigje avokates Adriana Kalaja dhe e sqaron se takimi me Ambasadorin Soreca ka qenë i planifikuar që më parë dhe është zhvilluar në vazhdën e disa takimeve të mëparshme.

Sipas Gjykatës në takim nuk është diskutuar për çështjen e Teatrit, por ka pasur në fokus rivënien në funksionim të Gjykatës Kushtetuese, mbështetjen e veprimtarisë së saj, si dhe zbatimin e ecurinë e reformës në drejtësi në Shqipëri.

“Në ushtrim të kësaj kompetence, Kryetari zhvillon takime me personalitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit lidhur me funksionimin dhe veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese. Dëshirojmë të theksojmë, pa asnjë ekuivok, se në asnjë prej këtyre takimeve nuk është diskutuar për çështje konkrete dhe nuk është bërë asnjë përpjekje, qoftë e drejtpërdrejtë apo e tërthortë, për të ndikuar në vendimmarrjen e kësaj gjykate”, thuhet nder te tjera ne letër.

Përgjigje kërkesës për informacion

Av. Adriana Kalaja Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

Në përgjigje të kërkesës suaj të datës 30.06.2021, drejtuar Gjykatës Kushtetuese, kërkesë e cila është bërë publike edhe në media, duke tërhequr edhe një herë vëmendjen për spekulimet dhe presionet e bëra kohët e fundit ndaj institucionit të Gjykatës Kushtetuese, sqarojmë se sipas nenit 12, pika 2/b, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” (ndryshuar me ligjin nr.99/2016), Kryetari përfaqëson Gjykatën Kushtetuese në marrëdhënie me të tretët.

Në ushtrim të kësaj kompetence, Kryetari zhvillon takime me personalitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit lidhur me funksionimin dhe veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese. Dëshirojmë të theksojmë, pa asnjë ekuivok, se në asnjë prej këtyre takimeve nuk është diskutuar për çështje konkrete dhe nuk është bërë asnjë përpjekje, qoftë e drejtpërdrejtë apo e tërthortë, për të ndikuar në vendimmarrjen e kësaj gjykate.

Lidhur me çështjet që ju parashtroni në kërkesën tuaj për informacion, në mbështetje të ligjit nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”, ju bëjmë me dije se takimi me Ambasadorin Soreca ka qenë i planifikuar që më parë dhe është zhvilluar në vazhdën e disa takimeve të mëparshme, të cilat kanë pasur në fokus rivënien në funksionim të Gjykatës Kushtetuese, mbështetjen e veprimtarisë së saj, si dhe zbatimin e ecurinë e reformës në drejtësi në Shqipëri.

SHKARKO APP