Takimi i fundit i llogaridhënies, Rama nga Korça: Urë solide ndërveprimi mes qeverisë dhe njerëzve
Në takimin e fundit të llogaridhënies publike në Korçë, kryeministri Edi Rama tha se kjo është një fushatë atipike pasi nuk shërben për zgjedhje apo për të kërkuar votën por për të ndërtuar një ndërveprim mes qytetarëve dhe qeverisë.
“Ky është takimi i fundit i fushatës së llogaridhënies publike. Një fushatë atipike sepse partitë në 20 e kusur vite i kanë bërë fushatat kur kanë pasur zgjedhje për të kërkuar votën. Ndërsa kjo fushatë nuk është as për zgjedhje as për të kërkuar votën por për të folur dhe për të dialoguar për ndërtimin e një ure solide ndërveprimi mes qeverisë dhe njerëzve të zakonshëm si një bazë e bashkëqeverisjes që kemi premtuar dhe synojmë ta realizojmë. Natyrisht nga e thënë në të bërë thotë populli është në mes një det i tërë, nuk është e lehtë sepse kemi një trashëgimi shumë të rëndë”, u shpreh kryeministri.
Nuk kanë munguar as akuzat për opozitën në çështjen e negociatave me Bashkimin Evropian.
“Ne bëmë gjithçka mundëm dhe pamë nga afër me sytë tanë me të gjithë partnerët se sa shumë vlerësim pati nga njëra anë për gjithçka kemi bërë por në të njëjtën kohë se sa e vështirë ishte që të gjitha vendet e BE të vendosnin bashkërisht për të caktuar datën e çeljes së negociatave për arsye që s’kanë të bëjnë fare me ecurinë, me vendin tonë por me çështje të brendshme të BE. Është e hatashme të shikosh se si pasqyra e opozitës sonë të pafe të pa din e pa iman e thyen dhe përpiqet t’u tregojë shqiptarëve formën e një gënjeshtre të madhe si të ishte një e vërtetë e hidhur. Ndërkohë që e vërteta është shumë e thjeshtë. Shqipëria mori nga BE rekomandimin pozitiv pa kushte për të çelur negociatat”, shpreh kryeministri.
KOHA JONË SONDAZH

