Takimi i Ramës me shqiptarët në Athinë ”tërbon” grekët, thirrja që bën deputeti i Mitsotakis: Ta ndalim
Gazeta greke “Kathimerini”, shkruan për takimin që kryeministri Edi Rama do të mbajë me shqiptarët më 12 maj në Athinë, duke thënë se autoritetet greke i kishin kërkuar bashkëpunëtorëve të shefit të qeverisë që të shtynte takimin për të mos ndikuar te zgjedhjet për Parlamentin Europian.
Edhe pse vizita e Ramës mund të konsiderohet private dhe konform ligjeve në fuqi, pasi Ministria e Jashtme greke është informuar përmes kanaleve diplomatike, ajo ka nxitur reagime të forta pasi do të ndodhë në njëvjetorin e arrestimit të Fredi Belerit. Vizita zhvillohet kur Kyriakos Mitsotakis e ka përfshirë kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës në listën e 42 kandidatëve në garën për një mandat në Parlamentin Europian, por pala shqiptare ka tentuar të hedhë poshtë çdo lidhje mes datës së përzgjedhur nga Rama dhe çështjes “Beleri”.
Deputeti i “Demokracisë së Re”, Nikitas Kaklamanis duke folur në një studio televizive deklaroi se s’ka logjikë që të pritet Edi Rama pasi është lideri i një vendi ku të drejtat e njeriut nuk ekzistojnë. “Mendimi im është se Beleri nuk mund të qëndrojë në burg dhe ne ndërkohë mirëpresim dhe lejojmë Edi Ramën të flasë me njerëzit që jetojnë dhe punojnë në Greqi. OK nuk ka problem. Le ta ndalojmë mitingun. Ky është qëndrimi im”, sqaroi deputeti i partisë së kryeministrit grek.
Kaklamanis e mbrojti idenë e tij të mos lejimit të kryeministrit shqiptar për të zhvilluar takimin me emigrantët në Athinë, duke risjellë në kujtesë bllokadën që Anglea Merkel si kancelare e Gjermanisë i ka bërë Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan. “Ju kujtoj se Merkel i bëri një gjë të tillë Erdoganit, i cili kërkoi të shkonte të fliste me turqit në Gjermani, para zgjedhjeve. Dhe Merkel ia ndaloi. Ajo i tha atij “jo tubime parazgjedhore”, duke i dhënë një mesazh të qartë se festa duhet të ndalohet”, sqaroi ai.