Takimi me të rinjtë që do votojnë për herë të parë, Kërpaçi: Më 25 prill duhet të marrim fatin tonë në dorë
Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi, gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë që do të votojnë për herë të parë, tha se më 25 prill është koha që jo vetëm rinia, por të gjithë shqiptarët të marrin fatet e tyre në dorë.
”Faktikisht ne kemi diskutuar jo vetëm gjatë këtyre ditëve, por LRI në çdo ditë të punës së saj, kemi parë që jo vetëm që situata është e vështirë, por problemet janë të mëdha, duke nisur nga sistemi arsimor, matura shtetërore, nuk jeni të orientuar drejt degëve të së ardhmes dhe lidhjen me tregun e punës. Ne duhet të trokasim tek çdo i ri dhe derë, dhe 98 ditë do të thotë që ne duhet të punojmë për 1 milionë arsye, që të punojmë të gjithë për një ndryshim që presim. Kush është ndryshimi që ne presim?
Nëse ne sot duam të largohemi nga Shqipëria sepse nuk kemi shpresë, në 25 prill do të vijë një moment i ri, ku të rinjtë vetë ashtu si gjatë këtyre 2 ditëve, punuam, diskutuam, pikërisht ne 25 prill të rinjtë do të vendosin e marrin fatin e vendit në duart e tyre. Dua të falënderoj jo vetëm juve, por të gjithë të rinjtë e të rejat e Shqipërisë që janë angazhuar me LRI në hartimin e programit.
Një nga pikat tona më të forta është lidhja e arsimit me tregun e punës, sepse në fakt sot çfarë i mungon një të riu? I mungon mundësia për të perfomuar, e programi ynë i jep mundësinë të rinjve, shansin të riut dhe pastaj çdo i ri ka mundësi të punojë me mundësitë e tij”,-tha Kërpaçi.