Takimi me Trump në Amerikë, Rama ironizon PD: Të bëjnë kujdes, se dalin prap si kokrrat e kandarit
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të përgjigjet me ironi dhe me një foto për komentet e fundit, ku u tha nga opozita që gjatë vizitës në Amerikë, edhe për pjesëmarrjen në OKB, kreu i qeverisë nuk u takua me presidentin Donald Trump apo edhe me ndonjë tjetër personalitet të lartë.
“Meqë s’e takova dot, siç thanë ata që çfarë nuk thonë, po asgjë s’bëjnë e s’na bëjnë dot, u detyrova ta bëj me IA”, shkruan Rama në foton e postuar në Instagram, teksa shihet krah presidentit amerikan Trump dhe bashkëshortes, Linda Rama, gjatë vizitës në Amerikë. Në vijim, kryeministri shton me tone ironike edhe një kunj për PD. ‘‘Po thuajuni atyre të bëjnë kujdes, se dro del që s’është IA dhe dalin prap si kokrrat e kandarit”.
Kryeministri Edi Rama ishte në SHBA në një vizitë disaditore, ku mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Gjatë vizitës, Raam zhvilloi edhe disa takime me komunitetin shqiptar në shtete të ndryshme të SHBA-ve. Takimi i Ramës me Trump vjen në një kohë kur opozita ka ngritur pretendime se raportet e kryeministrit me administratën amerikane janë ‘ftohur’ ndjeshëm.

