Takimi në Bruksel për kapitullin ”Bujqësia dhe Zhvillimi Rural”, ministrja Denaj: Përparim në përafrimin e kuadrit ligjor
Në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, u zhvillua në Bruksel takimi dypalësh për kapitullin 11 “Bujqësia dhe Zhvillimi Rural”, pjesë e Klasterit 5: Burimet, Bujqësia, dhe Kohezioni.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, falënderoi të gjithë ekipin e MBZHR-së, që udhëhoqën delegacionin në kuadër të raportimit të procesit Screening në Bruksel, ku u zhvilluan me sukses takimet 3-ditore me ekspertët e Komisionit Evropian pëkapitullin 11 “Bujqësia dhe Zhvillimi Rural”. “Jemi krenarë që Shqipëria po përparon me përafrimin e kuadrit ligjor, në fokus të agjendës evropiane për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, u shpreh Denaj.
Në këtë takim të rëndësishëm me ekspertët e Komisionit Evropian, delegacioni i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i kryesuar nga zv.ministri Arian Jaupllari, prezantoi progresin e bërë dhe sfidat në përafrimin e agjendës evropiane për bujqësinë dhe zhvillimin rural, ku ekspertët e KE-së, theksuan rëndësinë e këtij kapitulli, nisur nga vëllimi i legjislacionit dhe i buxhetit të dedikuar për të dhe nga struktura administrative që duhet të ketë për zbatimin e tij.
Takimi u fokusua në shpjegimin e legjislacionit të përafruar me politikat koherente të Politikave të Përbashkëta Evropiane CAP, dokumentat strategjikë për këtë fushë, skemat mbështetëse kombëtare, menaxhimi financiar/ monitorimi i shpenzimeve, sistemet e IACS, FADN, pagesat direkte për fermerët, rezultatet e përgjithshme të zbatimit të Programit IPARD II, përgatitjet për programin IPARD III, mekanizmat e tregut, përafrimi i legjislacionit me acquis-në e BE-së për produktet e ndryshme bujqësore dhe blegtorale si mishi, qumështi, vezët, mjalti, vaji i ullirit, drithërat, frutat, perimet, etj.
Në ditën e fundit të takimit përfaqësuesit e MBZHR-së prezantuan arritjen në fushën e verës, prodhimin organik, politikat e cilësisë, promocioni i produkteve organike si dhe politikat e qeverisë për luftën kundër korrupsionit në këtë fushë. Ekspertët e Komisionit Evropian falënderuan për prezantimet e bëra dhe për pyetësorin e dorëzuar në kohë, duke vlerësuar dhe sfidat që përfaqëson ky kapitull dhe inkurajoi Shqipërinë të vazhdojë intensivisht me punën e nisur duke konsideruar dhe mbështetjen e palës evropiane, pasi fusha e bujqësisë është një pjesë themelore e kësaj qasjeje të përbashkët.