Takimi përmbyllës i fushatës, Spahia: Kemi zgjedhur të parën Shkodrën mbi çdo gjë
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”për bashkinë e Shkodrës, kryebashkiaku aktual Bardh Spahia tha në takimin përmbyllës të fushatës së 14 Majit, se ka marrë shumë emocione nga kjo fushatë.
“Kudo ku kemi rrugëtuar në këtë fushatë, çdo lagje të qytetit dhe fshatra të njësive administrative, kam ndjerë frymën e fitores dhe besimin që dini të jepni vetëm ju, populli i Shkodrës. Vizioni dhe largpamësia që keni për t’i parë gjërat me objektivitet më bëjnë sot më të bindur se kurrë se falë mbështetjes të secilit prej jush. Fitorja e 14 majit do të jetë më e thellë, më e bukur dhe më shpresëdhënëse për Shkodrën tonë”, theksoi ai.
AI tha edhe se vota për Bardh Spahinë dhe koalicionin “Bashkë Fitojmë” do të jetë besimi që i jepni një ekipi profesionist dhe të përkushtuar, që ka zgjedhur të parën Shkodrën mbi çdo gjë.
”E diela e 14 majit është një sfidë për të gjithë qytetarët e ndershëm qe e duan Shkodrën larg duarve të krimit. Është një obligim dhe ndjenjë dashurie e përgjegjësie që kemi për qytetin ku gjenden rrënjët tona, kemi lindur dhe jemi rritur”, tha Spahia.