“Taksa progresive ka dështuar, rishikimi i buxhetit për të bindur FMN”

Dritan Shano, një prej ekspertëve të ekonomisë pranë Partisë Demokratike, tha se taksa progresive ka dështuar, ndërkohë që sipas tij qeveria rishikoi buxhetin vetëm për të bindur FMN të lëvrojë këstin e bllokuar.
 
Por ai thotë se vetë FMN i ka quajtur të larta taksat në Shqipëri, dhe sipas koordinatorit demokrat ato janë arsyeja e evazionit të lartë dhe korrupsionit që ka përfshirë doganat e tatimet.
 
Rishikimi i buxhetit të shtetit duke e ulur atë me 160 milion dollarë, sipas ekonomistit Dritan Shano, koordinator pranë kryetarit të Partisë Demokratike është akti më domethënës i rënies së sistemit fiskal të qeverisë Rama.
 
"Është një akt normativ që sipas tij bëhet vetëm që FMN të lëvrojë këstin e radhës së kredisë si injeksion për Shqipërinë, kur asnjë prej sektorëve të ekonomisë së saj nuk po e ushqen buxhetin. Një shkak kryesor i rënies drastike të të ardhurave është korrupsioni i lartë në dogana e tatime dhe evazioni për shkak të taksave të larta e masave të pastudiura.
 
Zgjidhja nuk vjen përmes aksioneve qeveritare me goditje të përqendruar, tek të cilat ai sheh vetëm një efekt të vogël dhe të përkohshëm.
 
Shqipëria ka nevojë për një  sistem fiskal të përshtatshëm për stadin ku ajo është, dhe ajo nuk është as Amerika e as Suedia", shprehet Shano, raporton ABC News.
 
Konstatimi i tij është se pasi qeveria pa dështimin e taksimit progresiv, i shkoi në mend të hedhë në letër edhe se si do të taksojë pagat e vogla, një nismë që e tërhoqi Ministria e Financave.
 
Sipas Dritan Shanos, sistemi fiskal dhe korrupsioni dhe evazioni nuk kanë favorizuar investimet e huaja, investime në infrastrukture nuk ka pasur dhe qeveria nuk i ndahet filozofisë se bllokimit të ndërtimeve, sektorit që përbën 10% të GDP.

SHKARKO APP