Talebanët hyjnë në pallatin presidencial me armë dhe pozojnë foto në zyrën e Presidentit
Talebanët morën edhe pallatin presidencial në Kabul të Afganistanit. Lajmi në fjalë po bën xhiron e botës. Qeveria e ligjshme është larguar për të mos përplasur popullin me talebanët të cilët në pak javë morën krejt Afganistanin.
Presidenti afgan Ashraf Ghani tha të dielën se ishte larguar nga vendi për të shmangur gjakderdhjen, ndërsa talebanët kishin hyrë në pallatin presidencial në Kabul.
Këshilli i Sigurimit të OKB do mblidhet urgjent për situatën në Afganistan.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha për rrjetin televiziv CNN të dielën se nuk ishte në interesin e Shteteve të Bashkuara të qëndronin në Afganistan, pasi kryengritësit talebanë hynë në kryeqytetin e vendit, Kabul.
Zoti Blinken tha se Uashingtoni kishte investuar miliarda dollarë për forcat qeveritare afgane gjatë katër administratave amerikane, duke u krijuar atyre përparësi ndaj talebanëve, por ata nuk ia kanë dalë siç tha ai të ndalin përparimin e tyre.
“E vërteta është se ne kemi parë që këto forca nuk ka qenë në gjendje ta mbrojnë vendin“, tha zoti Blinken. “Dhe kjo ka ndodhur më shpejt nga sa e kishim parashikuar“, shtoi ai.
Ndërkohë Associated Press njoftoi se Sekretari i Shtetit Antony Blinken, ai i Mbrojtjes Lloyd Austin, Gjenerali i Ushtrisë Mark Milley, kanë informuar anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të dielën mbi situatën në Afganistan gjatë një konference virtuale të paklasifikuar.
Ambasada amerikane është larguar e gjitha si personel me avionë ushtarakë.
Gjermania po dërgon avionë transporti ushtarak në Kabul për të filluar evakuimin e stafit të ambasadës së saj të hënën.
Agjencia gjermane e lajmeve (dpa) njoftoi të dielën se misioni do të përfshijë evakuimin e stafit afgan që punon për ambasadën gjermane.
Aeroplanë ushtarakë pritet të transportojnë të evakuuarit nga Kabuli në një bazë në Azinë Qendrore.
Agjencia shtetërore e lajmeve ruse raportoi të dielën se talebanët premtuan të garantojnë sigurinë e ambasadës ruse në Kabul.
Agjencia Tass citoi Suhail Shaheen, një zëdhënës i zyrës politike të talebanëve, të thotë se organizata ka “marrëdhënie të mira me Rusinë” dhe në përgjithësi “një politikë për të garantuar siguri për funksionimin e ambasadës ruse e të tjerave”.
I dërguari i Kremlinit për Afganistanin tha të dielën se nuk ka plane për të evakuuar ambasadën ruse në Kabul. Zamir Kabulov i tha agjencisë së lajmeve Interfax se ambasadori rus dhe stafi i tij “po kryejnë me qetësi detyrat e tyre”.
Ndërkohë askush nuk duhet të njohë talebanët si qeveri të Afganistanit, tha Kryeministri britanik Boris Johnson të dielën, duke shtuar se ishte e qartë se shumë shpejt në atë vend do të krijohej një administratë e re.
“Ne nuk duam që askush të njohë në mënyrë bilaterale talebanët”, tha Kryeministri Johnson në një intervistë, duke i kërkuar Perëndimit që të punojnë sëbashku për çështjen e Afganistanit përmes mekanizmave si Kombet e Bashkuara dhe NATO.
“Ne duam një qëndrim të bashkuar, aq sa të jetë e mundur, mes të gjithë njerëzve që ndajnë të njëjtat ide, në mënyrë që të bëjmë gjithçka të mundemi për të parandaluar që Afganistani të mos kthehet në një terren mbarështrimi për terrorin.”
Situata vazhdon të jetë kaotike në Afganistan.
Bota vazhdon e shokuar nga kjo që po ndodh, kur SHBA largohet, NATO mblidhet, ushtria afgane asgjësohet.

KOHA JONË SONDAZH

