Tanku i “Ditës së Verës”, simboli i dekorimit urban të Tiranës, zhvendoset në “Bulevardin e Ri”
Albert Vataj
Tanku i Ditës së Verës ka lënë Sheshin “Skëndërbej” për një destinacion të ri, duke vijuar të mbetet një ikonë e dekorimit urban të Kryeqytetit. I vendosur në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë më 14 mars 2024, si pjesë e atmosferës festive, që veshi me ngjyra dhe gjallëri kremtimin e Ditës së Vërës, ky tank që dikur shërbente si fuqi zjarri në ushtrinë shqiptare, tani sinjifikon ngjyrat dhe lulet që lajmërojnë stinën e begatë të pranverës. Ky tank nga një kujtesë e luftës dhe frikës, duke u dizajnuar në trupin e tij me lule shumëngjyrëshe “guxoi” të vinte në këtë ditë festive përmes dekorimit të veçantë, si një lajmës i paqes dhe të ngulitet shumë shpejt në vetëdijen dhe kërshërinë e kryeqytetit si emblemë e atraksionit.
Mijëra qytetarë të Tiranës, dhe jo vetëm, të huaj gjithashtu, e kanë fotografuar dhe kanë bërë sellfi duke postuar nw rrjetet sociale, duke e kthyer këtë tank të dizajnuar me lule, një ikonë të Ditës së Verës dhe në një simbol të ri të Tiranës.
Prej agut të sotëm, 9 prill 2024, ky tank që u bë një simbol i peizazhit urban të kryeqytetit, nuk është më në Sheshin “Skënderbej”. Po ku shkoi, do të pyesin ata që e kanë parë dhe fotografuar sa herë këto 26 ditë të qëndrimit të tij triumfal në mes të sheshit kryesor të Tiranës.
Po, ai është zhvendosur në një nga hapësirat e dedikuara në Bulevardin e Ri, karshi lokomotivës që mban gjallë kujtesën e stacionit të trenit, dhe ruan të pashuar mallin e mijëra udhëtarëve që peshkuan Shqipërinë nga Jugu në Veri me këtë shërbim të transportit publik që nuk është më.
Ky tank, duke u bërë pjesë e Bulevardit të Ri, do të marrë edhe më shumë vëmendje dhe kërshëri nga mijëra qytetarë të Tiranës që çdo ditë e më shumë e popullojnë këtë mjedis të gjelbër, këtë frymëmarrje që i është shtuar metropolit.
Siç mund ta keni vënë re, në pjesën e përparme të tankut është dizajnuar një luledielli me simbolin e paqes në qendër. Në mitologjinë, luledielli është lidhur me perëndi, perëndesha dhe legjenda. Në mitologjinë greke, Clytie ishte një nimfë uji që ishte e dashuruar me perëndinë e diellit Apollon. Kur ai e refuzoi atë, Clytie u shndërrua në një luledielli, që vështronte gjithmonë përballë diellit, ndërsa ai lëvizte gjatë gjithë ditës. Miti sugjeron se luledielli simbolizon dashurinë dhe besnikërinë e përjetshme. Simboli i paqes në qendër te dekorimit, është një simbol i njohur në mbarë botën dhe përdoret për të përfaqësuar dashurinë, paqen, barazinë, bashkimin, harmoninë dhe një kërkim të pandërprerë për përfundimin e luftërave të të gjitha llojeve, konflikteve dhe paragjykimeve që mundojnë njerëzimin.