TAP, 14 milionë euro për investime sociale dhe mjedisore në Shqipëri

Intervistë ekskluzive me Gentian Selmani, Menaxher për Investimet Sociale dhe Mjedisore të TAP në Shqipëri

  1. Cili është konteksti brenda të cilit funksionon programi i TAP për Investimet Sociale dhe Mjedisore?

Së pari duhet theksuar që programi TAP për investimet sociale është pjesë e një kuadri më të gjerë të funksionimit si një korporatë e përgjegjshme nga pikëpamja sociale. TAP ka zgjedhur të funksionojë në përputhje me parimet e EBRD dhe IFC në të gjithë aspektet e tij. Sigurimi i tokës për ndërtimin e tubacionit dhe rikthimi i saj në gjendjen fillestare, mbrojtja e mjedisit, ruajtja e trashëgimisë kulturore, mekanizmi i ankesave janë pjesë e këtij kuadri më të gjerë të të operuarit në mënyrë përgjegjshme.

Së dyti, programi i investimeve sociale është pjesë e një pakete më të gjerë përfitimesh lokale të finalizuar dhe dakordësuar me qeverinë shqiptare në fund të vitit 2016. Kjo paketë, përveç atyre që quhen investime sociale për të cilat do flasim pak më tej dhe që shkojnë në një vlerë prej 14 milionë euro, përfshin gjithashtu një komponent të përmirësimit të infrastrukturës rrugore si dhe një komponent të mbështetjes ndaj zhvillimit të tregut të gazit në Shqipëri.

Natyrisht, këtu nuk llogariten përfitime të tjera indirekte lokale që vijnë si rezultat i zbatimit të punimeve të ndërtimit përfshi këtu punësimin, përmirësimin e kadastrës ligjore, përmirësime të infrastrukturës së ndikuar nga projekti apo përfitime të bizneseve të shërbimit dhe jo vetëm që operojnë përgjatë gjurmës së tubacionit dhe në përgjithësi në Shqipëri.

Paketa e investimeve sociale dhe projektet që bëjnë pjesë në këtë paketë përqendrohen në katër fusha:

  • Cilësia e jetës së komuniteteve vendase, duke u përqendruar në projekte që lidhen me ato që quhen infrastrukturë sociale si shkolla, kopshte, ujësjellës dhe kanalizime.
  • Ngritja e kapaciteteve në sektorë me rëndësi për komunitetet e përshkuara nga TAP-i dhe më gjerë.
  • Bujqësia, Mjedisi dhe Turizmi duke u përqendruar në projekte që lidhen me vaditjen dhe kullimin, pastrimin e mjedisit apo zhvillimin e infrastrukturës turistike publike.
  • Përgjigja ndaj emergjencave natyrore.

Zbatimi i investimeve sociale dhe mjedisore të TAP ka filluar në vitin 2016. Aktualisht janë identifikuar më shumë se 40 projekte në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe qendrore, të cilat tashmë janë miratuar nga Bordi i Investimeve Sociale në TAP për një vlerë totale prej rreth 10 milionë euro. Disa prej tyre, rreth 20, tashmë janë përfunduar dhe pjesa tjetër është duke u përfunduar apo do te zbatohet në vijim.

Përfaqësuesit e TAP-it janë në kontakte të vazhdueshme me komunitetet vendase dhe të gjitha nivelet e qeverisjes, për të zhvilluar bashkërisht projekte të cilat mbështesin përparësitë e zhvillimit të këtyre komuniteteve.

  1. Cilat janë disa nga projektet investimeve sociale të zbatuara apo në zbatim nga TAP në Shqipëri deri në periudhën që flasim?

Siç u përmend edhe më sipër, janë mbi 20 projekte të përfunduar tashmë me një vlerë prej afërsisht 3 milion euro.

Gjatë vitit 2017-2018, fokusi ka qenë në projektet që lidhen me fushat e mëposhtme:

Infrastruktura Sociale:

  • Investime për rikonstruktimin total të tri shkollave (në Bashkitë e Devollit, Roskovecit dhe Fierit). Mbi 1300 nxënës tani mund të studiojnë në ambiente të rikonstruktuara dhe të mobiluara. Të tre shkollat ​​janë rikonstruktuar dhe pajisur me sistem alarmi ndaj zjarrit dhe shkallëve të daljes emergjente si dhe me banka e tavolina te reja. Kujdes i veçantë i është kushtuar gjithashtu masave të efiçencës së energjisë;
  • Rehabilitimi i urës në Çorovodë, duke e transformuar atë nga një urë me një korsi në një dy korsi;
  • Rindërtimi i Ujësjellësit të Mbrostarit në Fier, i cili tashmë siguron ujë të pijshëm për mbi 11,000 banorë të 7 fshatrave në zonë;
  • Sigurimi i stolave për sheshin Skënderbej në Tiranë;
  • Sigurimi i sistemit të ajrit të kondicionuar për një shkollë të mesme në Çorovodë;
  • Rehabilitimi i Muzeut “Gjon Mili” në Korçë;

Projektet më sipër janë tashmë të përfunduar ose pranë përfundimit, ndërkohë që është duke u punuar për rreth nëntë projekte të tjera të rëndësishme përfshi këtu rehabilitimin e plotë ose ndërtimin nga e para të 7 godinave të shkollave dhe kopshteve në territorin e bashkive të Beratit, Urës Vajgurore dhe Çorovodës, ndërtimin e një ujësjellësi në territorin e bashkisë Devoll dhe një sistemi kanalizimesh në territorin e bashkisë Maliq.

Të gjitha këto projekte janë duke u realizuar në bashkëpunim të ngushtë me qeverisjen vendore ku ato ndodhen dhe janë aktualisht në faza të ndryshme të punës. Në disa prej tyre ka nisur procesi i ndërtimit ose rehabilitimit ndërkohë që për pjesën tjetër është duke u përmbyllur faza e projektimit.

Bujqësia, Mjedisi dhe Turizmi

  • Platforma panoramike mbi Kanionin e Osumit: realizuar si një bashkëpunim midis TAP dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) për të ndërtuar dy platforma moderne panoramike, duke mundësuar një pamje më të mirë dhe njëkohësisht më të sigurt të kanionit. Rreth 15’000 turistë çdo vit vizitojnë kanionin;
  • Gjatë dhjetorit 2017, TAP ndihmoi për pastrimin e lumit Osum duke ju bashkuar iniciativës së Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në pastrimin e mbetjeve të ngurta përgjatë lumit Osumi. Nisma përfshinte edhe thellimin e shtratit të lumit dhe u zhvillua në kuadër të fushatës së fushatës “Ne e pastrojmë Shqipërinë që duam”.
  • Mbjellja e mbi 1,000 pemëve selvi përgjatë aksit Tiranë – Elbasan;
  • Dy aksione pastrimi mjedisor në bashkinë e Fierit në zonat e plazhit të Semanit dhe Urës së Mbrostarit realizuar në bashkëpunim me Korpusin e Vullnetarëve dhe me pjesëmarrjen e mbi 500 vullnetarëve. Tre aksione të ngjashme do të organizohen edhe në bashkinë e Beratit përgjatë lumit Osum;

Projektet më sipër janë tashmë të përfunduar, ndërkohë që është duke u punuar për rreth tetë projekte të tjera të rëndësishme që lidhen sidomos me bujqësinë nga të cilat mund të përmendim gjashtë projekte të vaditjes dhe kullimit në bashkitë Fier, Berat, Ura Vajgurore, Devoll dhe Çorovodë si dhe dy projekte tregjesh bujqësore dhe të gjësë së gjallë përkatësisht në bashkitë Korçë dhe Fier. Edhe këto projekte janë duke u realizuar në bashkëpunim të ngushtë me qeverisjen vendore ku ato ndodhen dhe janë aktualisht në faza të ndryshme të punës. Në disa prej tyre ka nisur procesi i ndërtimit ose rehabilitimit ndërkohë që për pjesën tjetër është duke u përmbyllur faza e projektimit.

Edukimi dhe ngritja e kapaciteteve

  • Vëmendje i është kushtuar ndërgjegjësimit të komuniteteve për sigurinë në rrugë, duke qenë të vetëdijshëm se kjo është një nga çështjet më kritike në Shqipëri. Nëpërmjet këtij projekti mbi 8’000 nxënës si edhe mësues dhe banorë të komuniteteve pranë gjurmës së gazsjellësit u informuan dhe u trajnuan mbi sigurinë rrugore. Për më tepër po punohet me Ministrinë e Arsimit për të përfshirë në kurrikulat arsimore lëndë mbi sigurinë rrugore.
  • Programi i Praktikave profesionale: Për një periudhe prej një viti, një grup studentësh të talentuar kanë patur mundësinë të punojnë në departamentet kryesore të projektit dhe të marrin përvojë nga profesionistët më të mirë të industrisë së energjisë.
  • Mobilimi i Bibliotekës së qytetit Berat i cili tashmë ka përfunduar.
  • Rinovimi i pajisjeve dhe ambientit të Laboratorit të Analizave të Fakultetit të Gjeologji Minierave një projekt që është aktualisht në fazë zbatimi dhe që pritet të përmirësojë kapacitetet e këtij Fakulteti në përgatitjen e inxhinierëve të rinj të këtij sektori.

Emergjencat

TAP ka ndërhyrë në disa raste për t’ju gjendur pranë komuniteteve që kanë përballur me situata emergjence për shkak të motit të keq, zjarreve apo përmbytjeve.

  • Pajisjet për luftimin e zjarreve: TAP u dhuroi autoriteteve shqiptare për të përballuar emergjencën me zjarret gjatë verës se vitit 2017, 600 pompa shpine për fikjen e zjarrit dhe 100 uniforma zjarr-duruese.
  • Ndihma për fermerët e Fierit të ndikuar nga përmbytjet: TAP u dhuroi fermerëve të Bashkisë së Fierit të cilët u prekën nga përmbytjet e nëntorit 2017 rreth 200 ton ushqim për kafshët.
  1. Ku do të jetë fokusi i Investimeve Sociale dhe Mjedisore në vijim?

Gjatë vitit 2018 dhe 2019 TAP do të vazhdojë me zbatimin e projekteve të përmendura më sipër e të aprovuara tashmë përfshi këtu:

  • Rehabilitimin e plotë ose ndërtimin nga e para të 7 godinave të shkollave dhe kopshteve në Bashkitë e Beratit, Urës Vajgurore dhe Çorovodës.
  • Investimet në fushën e bujqësisë me rreth 8 projekte të miratuara, ku gjashtë prej tyre janë projekte të vaditjes dhe kullimit në bashkitë Fier, Berat, Ura Vajgurore, Devoll dhe Çorovodë si dhe dy projekte tregjesh të prodhimeve të freskëta bujqësore dhe të gjësë së gjallë përkatësisht në bashkitë Korçë dhe Fier.
  • Nisur nga nevojat e vjetshme në përballimin e emergjencave me zjarret, gjatë vitit 2018 TAP po vlerëson për të ofruar përsëri mbështetje për institucionet shqiptare nëpërmjet sigurimit të një numri mjetesh zjarrfikëse që mund të aksesojnë edhe terrenet e vështira.
  • TAP gjithashtu do të vazhdoje gjithashtu të shqyrtojë mundësinë e zbatimit të projekteve që nxisin rritjen e punësimit, arsimin profesional, trashëgiminë kulturore, përkujdesjen ndaj mjedisit, etj.

Si edhe e thash më sipër, përfaqësuesit e TAP-it janë në dialog të vazhdueshëm dhe të hapur me komunitetet lokale si edhe të gjitha nivelet e qeverisjes për të zhvilluar projekte të përbashkëta që mbështesin zhvillimin e komuniteteve.

 

SHKARKO APP