TAP injekton sasitë e para të gazit natyror në seksionin shqiptar të tubacionit, në kuadër të fazës së testimit

Tiranë, Shqipëri. Më 20 maj, Trans Adriatic Pipeline (TAP) AG filloi injektimin e sasive të para të gazit natyror në seksionin prej 4 km të gazsjellësit në Shqipëri, nga kufiri greko-shqiptar deri në stacionin matës të TAP-it në Bilisht.
Në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë, si dhe ato të operimit, kjo është faza e parë e procesit të testimit të gazsjellësit, e cila ka për qëllim të sigurojë që infrastruktura është tërësisht e sigurt dhe e gatshme për fillimin e operimit. Pas kolaudimit të këtij seksioni të parë, gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm, injektimi i gazit do të vijojë gradualisht në seksione të tjera të gazsjellësit në Shqipëri dhe më gjerë.

Në këtë kuadër, nevojitet kontributi dhe bashkëpunimi i të gjithë individëve që kanë veprimtari në afërsi të gazsjellësit TAP. Kështu, çdokujt që planifikon të punojë në afërsi të tubacionit dhe/ose instalimeve të tij i kërkohet me dashamirësi të ndjekë udhëzimet për veprimtari të sigurta në afërsi të gazsjellësit, që janë të disponueshme në faqen zyrtare të internetit të TAP-it, ose t’i referohet materialeve të shpërndara dhe të transmetuara të komunikimit.

Gjithashtu, TAP-i ka vënë në dispozicion dy numra telefoni:
• Linjën 24 orëshe të Emergjencave 0800 1659 (numër pa pagesë)
• Linjën e Ankesave dhe Informacionit të Përgjithshëm +355 69 609 8188, në të cilën palët e interesuara mund të telefonojnë përpara fillimit të veprimtarive të tyre në afërsi të gazsjellësit, nëse kanë pyetje apo kërkesa, (lidhur me listën e veprimtarive të lejuara apo të ndaluara).

Me qëllim ruajtjen e integritetit dhe sigurisë së gazsjellësit si gjatë fazës së kolaudimit, ashtu edhe gjatë fazës së operimit, TAP-i do të përdorë metoda monitorimi 24 orë në ditë 7 ditë të javës dhe do të kryejë patrullime të rregullta.

Siguria është vlerë themelore e TAP-it. Për këtë arsye, TAP do të vijojë të zbatojë një gamë të gjerë nismash për të mbrojtur njerëzit, komunitetet dhe mjedisin.

SHËNIME
Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)
TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Deniz II në sektorin azerbajxhanas të Detit Kaspik për në Evropë. Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore.
Sasia e parë e gazit do të mbërrijë në Evropë në vitin 2020.
Gjurma e TAP-it mund të lehtësojë furnizimin me gaz në një sërë vendesh të Evropës Juglindore. Pika e hyrjes së TAP-it në tokë në Itali ofron mundësi të mëtejshme për transportin e gazit kaspik drejt disa prej tregjeve më të mëdha evropiane.
TAP-i promovon zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Gjithashtu, ai është një burim madhor i investimeve të huaja direkte.
Aksionarët e TAP-it janë: BP (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).
Më shumë rreth TAP: www.tap-ag.com | www.twitter.com/tap_pipeline

Pyetje për Median në Anglisht: media@tap-ag.com

SHKARKO APP