Task Forca e përbashkët Shqipëri-Britani-Kosovë, Balla: Bashkëpunimi është intensifikuar
Në Tiranë u mbajt takimi i radhës tripalësh, i Komitetit Mbikëqyrës të Task Forcës së përbashkët mes Shqipërisë, Britanisë së Madhe dhe Kosovës, kundër migracionit të parregullt dhe bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar. Në të morën pjesë ministri i Brendshëm shqiptar Taulant Balla, ministri Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla, si dhe përfaqësues të agjencive ligjzbatuese nga Republika e Kosovës, nga Britania e Madhe dhe Shqipëria.
“Shqipëria dhe Britania e Madhe kanë një marrëdhënie të shkëlqyer dhe punojnë çdo ditë së bashku për të arritur objektivat e përbashkëta me synimin promovimin dhe mbrojtjen e sigurisë për qytetarët tanë. Kjo dëshmohet më së miri me uljen e dukshme përtej çdo parashikimi të numrit të emigrantëve të paligjshëm që kanë mbërritur në Britani, nga Shqipëria, por po ashtu edhe në punën tonë të përbashkët për të luftuar krimin e organizuar në të gjitha format e tij”, tha ministri Taulant Balla.
Më tej, ministri shqiptar tha se shkëmbimi i informacionit në kohë reale midis strukturave policore dhe bashkëpunimi i ngushtë me SPAK, i shërben parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në vendin tonë.