Taulant Balla: Armëmbajtja pa leje po goditet çdo ditë
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar lidhur me aksionet e fundit të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikqyrjes Policore kundër fenomenit të armëmbajtjes pa leje.
“Armëmbajtja pa leje po goditet çdo ditë. Do të bëjmë gjithçka, me më shumë angazhim sesa më parë, që ky karshillëk i hapur ndaj ligjit dhe shoqërisë sonë të luftohet nga Policia e Shtetit me vendosmëri, çdo ditë. Në të gjithë territorin e vendit, Policia e Shtetit po organizon dhe realizon goditje të përditshme ndaj këtij fenomeni. Ndalimi gjatë natës së mbrëmshme i një oficeri të Gardës së Republikës, për armëmbajtje pa leje, tashmë i arrestuar dhe i përjashtuar menjëherë nga radhët e Gardës, konfirmon qartë angazhimin se në rrjetën e forcës së ligjit do të bien të gjithë shkelësit. Gjithashtu gjatë operacioneve kundër armëmbajtjes pa leje Policia e Shtetit ka arritur të parandalojë në kohën e duhur një ngjarje të rëndë kriminale. Jam i sigurt se kam mbështetjen e qytetarëve në goditjen e këtij fenomeni, por kërkoj gjithashtu edhe mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj, të dashur qytetarë, përgjatë kontrolleve të policisë, të cilat do të jenë të shpeshta”, shkruan Balla.
KOHA JONË SONDAZH

