Taulant Balla takim me të rinj shqiptarë të Maqedonisë së Veriut: Gjuha shqipe nuk negociohet
Kryetari i grupit parlamentar i PS-së, njëherësh bashkëkryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Taulant Balla zhvilloi një bashkëbisedim me të rinj e të reja shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Balla deklaroi se shqiptarët në këtë shtet fqinj janë kombësi shtetformuese dhe nuk janë minoritet etnik dhe se e drejta për shkollim dhe përdorim të gjuhës shqipe kudo është detyrim dhe nuk mund të negociohet.
“Po jetojmë në një kohë që segmente të caktuara edhe brenda nesh, shqiptarëve, të shtyra apo sponsorizuara nga aktorë jomiqësorë, po kultivojnë ndasi mes veti apo frymë antiamerikane dhe antisemite në hapësirën shqiptare. Marrëdhënia e shqiptarëve me SHBA është dhe duhet të mbetet e fortë”, shtoi ai. Sipas Ballës, respektimi i Marrëveshjes së Ohrit, është element thelbësor ekzistencial për Maqedoninë e Veriut dhe për rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. “Çdo hap që cenon përdorimin e gjuhës shqipe në institucione, në provime, në shkolla apo universitete, është një hap kundër së ardhmes europiane të vendit”, tha Balla.
Në bashkëbisedim, Balla komentoi edhe reagimet që lidhen me projektin në Zvërnec, lidhur mbi ndikimin mjedisor dhe rikthimin e flamingove në zonë pas moratoriumit të gjuetisë. “U harruan flamingot. Deri në vitin 2013 flamingot nuk vinin aty sepse i vrisnin gjahtarët. Pasi ne morëm qeverisjen, vendosëm moratorium kundër gjuetisë dhe flamingot u rikthyen. Tani aty sheh ambientalistë, por pamë edhe njerëz që mbajnë qëndrime në mbështetje të regjimit të Iranit”, tha Balla.
KOHA JONË SONDAZH


