Të afërmit tregojnë tmerrin që kaloi Xhesika nga tërmeti: Ulërinte për ndihmë
Xhesika Biqiku është viktima e parë që u shënua në Tiranë, nga tërmeti i madh i të martës.
Ëndrra e 20-vjeçare për t’u bërë arkeologe u ndërpre në mes. Të afërmit e saj e kanë cilësuar me të drejtë një tragjedi vdekjen e saj dhe rrëfejnë përpjekjet e 20-vjeçares për të mbijetuar natën e tmerrit.
“E njihnim Xhesikën. Gjynah! Vajzë e urtë, vajzë e sjellshme dhe e vuajtur. Sa të mira që ishin, çfarë bëri keq? Ulërinte atë natë ndihmë, ndihmë, ne ishim duke zbritur shkallët në ato moment. Një djalë e ka marrë me makinë. I ati vetëm ulërinte, ndihmë në ndihmoni! Nuk kemi çfarë themi, vajzë e re”, shprehen të afërmit.
E tronditur shprehet dhe Valbona e cila është rritur me të.
“Një vajzë shumë e mirë, jemi rritur bashkë, jemi shumë të tronditur nga lajmi që morëm tani se Xhesika ka ndërruar jetë”, thotë Valbona.
Xhesika është viktima e 51 e tërmetit 6.4 ballësh.