Të ardhurat që mblodhi qeveria, në 6 muajt e parë u rritën ndjeshëm
Referuar një raporti të fundit të Ministrisë së Financave, të ardhurat totale që qeveria mblodhi në 6 muajt e parë të këtij viti shënuan një rritje të ndjeshme në raport me vitin e kaluar, madje duke tejkaluar edhe 2019. Po ashtu të ardhurat në buxhet në harkun janar-qershor, ishin 234 miliardë lekë, nga 195 në 2020-n dhe 226 në vitin e para krizës shëndetësore.
Kurse të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, të cilat u rritën me 3,8 për qind krahasuar me vitin 2019 dhanë edhe kontributin më të madh. Pas TVSH-së, renditen të ardhurat nga sigurimet shoqërore e shëndetësore, ato nga tatimet dhe doganat si dhe akciza.
Shpenzimet të cilat u rritën me 12.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shpenzimet e përgjithshme publike arritën në vlerën e 263 miliard lekëve në 6 muajt e pare të këtij viti nga 233 në 2020-n.
Rihapja e ekonomisë dhe rritja e konsumit pas lehtësimit të masave kufizuese si pasojë e pandemisë nga Covid-19, dha një ndikim të menjëhershëm në rigjallërimin e ekonomisë në vend, e cila parashikohet që të rritet me 5 për qind këtë vit.