Të burgosurit përjetë kërkojnë lirim me kusht
Jeta në burg për të dënuarit përjetë është një makth, dhe për këtë arsye të dënuarit në Peqin i kanë dërguar një kërkesë ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja dhe bëhet fjalë për ndryshimin e Kodit Penal, më konkretisht nenit 65 të tij.
“Nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin me burgim të përjetshëm. Vetëm në raste të jashtëzakonshme i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht kur: Ka vuajtur jo më pak se njëzet e pesë vjet burgim dhe, gjatë vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe çmohet se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij”.
Po ashtu ata kërkojnë heqjen e togfjalëshit vetëm në raste të jashtëzakonshme si dhe të rishihet mundësia e lirimit të tyre me kusht kur kanë kryer 25 vite burgim. Të dënuarit të cilët pritet të përshkallëzojnë qëndrimin e tyre dhe në grevë urie kërkojnë përafrimin e ligjit me atë evropian ndërsa shprehen se punësimi si mjeti më i fuqishëm për riintegrimin dhe riedukimin mungon.
”Nga ana shëndetësore ofrimi i të njëjtës gjellë, patate në drekë për 365 ditë të vitit dhe fasule në darkë për 365 ditë të vitit, është vetëvrasëse për shëndetin e të dënuarit me burgim të përjetshëm, të cilit dita-ditës i bie imuniteti deri sa sëmuret e shkatërrohet plotësisht. Po ashtu edhe uji gëlqeror që pijmë nga rubineti ka shkaktuar e po shkakton dëme të konsiderueshme”.