Të dëmtuar nga tërmeti, familjes me bindje të djathta, i hiqet ndihma ekonomike. Belind Këlliçi: Durim deri më 25 prill kur shqiptarët të zgjedhin një qeveri normale
Kandidati për deputet në Tiranë, njëkohësisht edhe drejtues politik i Partisë Demokratike në zonën e Kombinatit, Belind Këlliçi ditën e sotme ka vizituar një familje me shtatë anëtarë në Kus, Kashar, e cila qëndron në një banesë gati të rrënuar.
Në videon e publikuar në rrjetet sociale nga Partia Demokratike shihet Belind Këlliçi, kandidati për deputet, i cili u njoh nga afër me situatën tejet të rënduar dhe u ndal të pyeste zonjën e shtëpisë për arsyet e heqjes
së ndihmës ekonomike, përgjigja e së cilës ishte për shkak të bindjeve të djathta.
“Këta nuk janë njerëz, nuk janë qeveri”, shprehu revoltën e tij Këlliçi, i cili kërkoi durim edhe pak ditë derisa shqiptarët, sipas tij, të zgjedhin më 25 prill një qeveri normale me një kryeministër normal.
Postimi i plotë:
Një familje me shtatë anëtarë në Kus, Kashar qëndron brenda një banese gati të rrënuar.
Pas tërmetit të Nëntorit 2019, familja u vendos përkohësisht në çadër pasi shtëpia u vlerësua “e pabanueshme” nga inspektorët. Kanë kaluar 16 muaj që familja pret rindërtimin dhe ndihmë konkrete në përballimin e fatkeqësisë. Pas një qëndrimi të gjatë në çadër, kjo familje u rikthye në banesën e saj ende të dëmtuar.
Kryefamiljari e ka fizikisht të pamundur të punojë. dhe si të mos mjaftonin sëmundja dhe fatkeqësia natyrore, atij i kanë hequr ndihmën ekonomike, çka i ka zhytur në borxhe dhe mjerim.
Për të biseduar me zonjën e shtëpisë, shkoi Belind Këlliçi, kandidat për deputet i PD në këtë zonë të Tiranës. Këlliçi u njoh nga afër me situatën tejet të rënduar dhe u ndal të pyeste për arsyet e heqjes
së ndihmës ekonomike, përgjigja e së cilës ishte shkurt “ngjyrimi”, si referencë për bindjet politike. “Nuk hyn ngjyrimi këtu, hyn mjerimi”, u shpreh Këlliçi.
Pa ndihmë në të holla, ushqime dhe veshmbathje, e përjashtuar nga ndihma ekonomike, kjo familje rrezikon edhe gjobë për lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
“Këta nuk janë njerëz, nuk janë qeveri”, shprehu revoltën e tij Këlliçi, i cili kërkoi durim edhe pak ditë derisa shqiptarët, sipas tij, të zgjedhin më 25 prill një qeveri normale me një kryeministër normal.
Procesi i rindërtimit le shumë dritëhije në trajtimin e qytetarëve të prekur nga tërmeti. Sukses ose dështim, këtë e vendos sovrani më 25 prill.