“Të fshehta jashtë ekranit”, nuk janë më si të tilla, në rrëfimin e Mevlan Shanaj
Nga Albert Vataj
Ndoshta i përkas atyre të paktëve, të cilët kishin privilegjin ta përcillnin “Të fshehta jashtë ekranit”, kur ai ishte ende larg shtypshkrimit. Nxitova ta lexoj, por jo më pak turravrap të hidhja në letër impresionet e mia, për t’i ndarë ato me lexuesin, që priste të takohej me Mevlan Shanaj, në faqet e një libri, pasi publiku e kishte përcjellë atë në sa e sa filma, skenarë e përsiatje, dhe tani së mbrami në televizione, ku shpesh i duhej edhe të ngre zërin, për të mbrojtur jo vetëm filmin shqiptarë nga gjykatorët linçues, por mundin dhe sakrificat e atyre që ngritën në tempull filmin.
Është ende shpejt të paralajmërojmë lexuesit për librin, më tha në një komunikim që pata. Sa ishte Panairi i 27 Librit, “Tirana 2024”, 13-17 nëntor në Pallatin e Kongreseve, s’pata para mjaftueshëm, as vullnet për të rezistuar, dhe nuk shkova, edhe pse për “Të fshehta jashtë ekranit” vetëm kopertina dhe autografi i autorit më mungonte.
Mevlan Shanaj, burri sharmant i filmit
Burri sharmant më flokë të gjatë dhe shall që i rrëzohet rreth qafës, moshën e të cilit nuk mund ta tregojë dinamizmi as impulsiviteti, për më pak paraqitja. Realisht, ka kohë që e njoh, dhe vetë koha e ka patur të pamundur ta ndryshojë.
Mevlan Shanaj është një nga figurat më të njohura të kinematografisë dhe artit shqiptar, por edhe një zë i dinjitetshëm i atyre potencialeve intelektuale që dalin nga katedra, nga rrëmimet nëpër libra e pelikula, e bëhen pjesë e debateve publike. Ai është aktor, regjisor, pedagog dhe skenarist me një kontribut të shquar në zhvillimin e filmit artistik dhe atij dokumentar.
Shanaj ka interpretuar në një sërë filmash, duke sjellë në ekran dhe skenë personazhe të fuqishëm dhe të jetësime të paharrueshme. Ai është vlerësuar dhe përcjellë nga admiruesit e filmit shqiptar me adhurim për ndjeshmërinë dhe mjeshtërinë e tij në krijimin e mishërimin interpretues të karaktereve.
Ai i përket një brezi artistësh që kontribuoi në themelimin dhe zhvillimin e traditave të qëndrueshme artistike në Shqipëri, shpesh në kushte të vështira. Puna e tij pasqyron përpjekjen për të ndërtuar art cilësor dhe për të ruajtur një frymë autentike, pavarësisht sfidave të kohës.
Mevlan Shanaj kishte ende për të dhënë, e pse jo edhe për të thënë kishte diçka. Diçka që do të donte ta ndante me të gjithë, që është jo vetëm përvojë personale e tij me personazhe dhe personalitete, me figura ikonike të filmit dhe artit shqiptar, por vetë shpirti i kësaj marrëdhënie që ngeli jashtë ekranit, por që Shanaj donte ta shpërfaqte para interesimit tonë përmes një libri të titulluar “Të fshehta jashtë ekranit”.
“Të fshehta jashtë ekranit” që u zbuluan
Libri, “Të fshehta jashtë ekranit”, i Mevlan Shanaj dëshmon përkushtimin e tij ndaj artit, duke sjellë një pasqyrë të thelluar mbi historinë dhe evoluimin e kinemasë shqiptare dhe duke reflektuar mbi jetën dhe krijimtarinë e tij. Por edhe duke qëmtuar dhe vëzhguar përmes zakonshmërisë, të jashtëzakonshmen e atyre që erdhën për t’u ngjitur në Panteon.
“Të fshehta jashtë ekranit” nga Mevlan Shanaj është një vepër autobiografike që eksploron prapaskenat e kinemasë dhe teatrit shqiptar.
Një tjetër pikë për t’u theksuar është mbrojtja e kinemasë shqiptare nga mohimi absolut. Shanaj ngulmon që kinemaja e kohës socialiste nuk mund të reduktohet në një instrument ideologjik, por duhet parë edhe si një hap i rëndësishëm në formimin e një tradite kombëtare të artit filmik. Kjo qasje balancuese dhe e menduar e bën librin një dëshmi të ndershme dhe të vlefshme për të kuptuar historinë e artit shqiptar.
Në tërësi, libri jo vetëm që ruan një trashëgimi, por i fton lexuesit të shohin përtej paragjykimeve dhe të vlerësojnë forcën krijuese dhe shpirtin njerëzor që qëndron pas çdo vepre artistike.
Të shfletojmë kujtimet dhe rikthejmë shpirtjet
Në “Të fshehta jashtë ekranit”, Mevlan Shanaj përfshin një pasuri kujtimesh, analizash dhe reflektimesh mbi artin kinematografik dhe skenik shqiptar, duke e paraqitur atë si një trashëgimi të vyer kulturore. Libri është i strukturuar në katër kapituj që trajtojnë tema si:
Arti i kinemasë, e cila në thelb është një analizë mbi procesin krijues të filmit, nga skenari deri te montazhi, dhe rëndësia e fjalës dhe aktorit në ekran. Shanaj eksploron mjeshtërinë e interpretimit dhe përpjekjet për të ndërtuar një kinematografi që frymëzon.
Kapitulli “Ikonat e artit shqiptar”, shtjellohen në këtë libër si portrete të detajuara të personaliteteve të shquara, si Lasgush Poradeci, Sandër Prosi, Kadri Roshi, Vaçe Zela, Marie Kraja, dhe shumë të tjerë. Këto figura trajtohen me një ndjenjë mirënjohjeje, duke nxjerrë në pah kontributin e tyre në art dhe ndikimin që kanë pasur mbi autorin.
“Meditime dhe kujtime” nxjerr në pah thellësinë shpirtërore, cyt Shanajn të kumtojë me zemër në dorë, një përqasje komunikuese që vjen në përsiatje mbi jetën, krijimtarinë dhe artin, ku Shanaj zhytet thellë vetes për të bashkëndarë mendime filozofike, momente personale dhe reflektime mbi sfidat dhe bukuritë e krijimit artistik.
Në “Intervista”, vijnë diskutime mbi artin dhe filozofinë krijuese, duke zbuluar qasjen e tij personale ndaj artit dhe marrëdhëniet me të shkuarën artistike dhe të tashmen e nevojës për vetëdijesim të atyre vlerave, me të cilat duhet të njihemi dhe ballafaqohemi.
Filmi shqiptar, një dashuri që duhet dashuruar ende
Ai i fton lexuesit të njohin dhe të vlerësojnë trashëgiminë kinematografike dhe skenike, jo vetëm për vlerat artistike, por edhe për mesazhin dhe shpirtin që ajo përcjell. Në të njëjtën kohë, është një thirrje për ruajtjen dhe zhvillimin e artit si një pjesë e identitetit kombëtar.
Në një këndvështrim më të plotë na lind e drejta të pohojmë se libri “Të fshehta jashtë ekranit” i Mevlan Shanajt është një testament artistik dhe kulturor, që reflekton mbi kohën dhe artin në mënyrën më të ndjerë dhe më të sinqertë. Ai shfaqet si një vepër që ndërthur kujtimet e autorit me një analizë të thelluar mbi artin e interpretimit, duke e kthyer lexuesin në një bashkëbisedues të heshtur në rrëfimin e tij.
Gjithashtu, reflektimet filozofike dhe kritikat estetike mbi artin e kinemasë dhe interpretimin aktorial janë një shtyllë e fortë e librit. Shanaj analizon me kujdes fuqinë e fjalës, emocionit dhe krijimit të karaktereve, duke i dhënë librit një dimension edukativ për këdo që synon të kuptojë thellësinë e artit filmik dhe thelbin e tij.
Në mënyrë të veçantë, ai i fton lexuesit të reflektojnë mbi tranzicionet që arti shqiptar ka përjetuar dhe sfidat që ka hasur, duke ruajtur gjithmonë optimizmin për vazhdimësinë e tij. Kjo përbën një thirrje për të ruajtur trashëgiminë artistike dhe për të investuar në zhvillimin e saj të mëtejshëm.
Në përgjithësi, libri është një dhuratë e vyer për kulturën shqiptare, një homazh për artistët që kanë lënë gjurmë dhe një dritare për të parë artin, jo vetëm si një profesion, por si një mënyrë të qenit dhe të ndjerë. Shanaj i flet jo vetëm brezave të shkuar e të tashëm, por edhe atyre të ardhshëm, duke dhënë një mesazh të fortë: arti është përjetësia e shpirtit njerëzor.
Një libër për të mos e lënë të hesht zëri i shpirtit
Ajo që të tërheq në “Të fshehta jashtë ekranit”, si përulësia e një magjepsje është ndjenja e respektit dhe mirënjohjes që Shanaj ruan për artistët me të cilët ka ndarë skenën dhe jetën. Përmes një stili të drejtpërdrejtë, shpeshherë intim, ai arrin të portretizojë jo vetëm madhështinë e tyre artistike, por edhe anën njerëzore, sfidat, pasionet, dilemat dhe gëzimet e përditshme. Kjo qasje krijon një ndjesi thellësisht personale dhe e bën lexuesin të ndjejë peshën dhe magjinë e një epoke që, ndonëse larg në kohë, mbetet e freskët në shpirtin e kulturës shqiptare.
Libri zbulon disa histori interesante dhe ngjarje të panjohura që lidhen me krijimin e filmave dhe shfaqjeve teatrore të njohura shqiptare. Ai përshkruan bashkëpunimet me kolegë të ndryshëm dhe ndan kujtime për aktorët e famshëm shqiptarë, duke ofruar një pamje më të thellë mbi procesin e krijimit të artit në kushtet e një shoqërie të izoluar politikisht.
Përmes portreteve të hollësishme dhe të ngrohta të ikonave të artit, si Sandër Prosi, Lasgush Poradeci, Kadri Roshi, dhe shumë të tjerë, Shanaj arrin të ndërtojë një narrativë që shkon përtej skenës apo ekranit.
Ajo që më bën më shumë përshtypje është ndjenja e thellë e humanizmit në këto portrete. Për shembull, Shanaj tregon një histori prekëse për Mihal Stefën, i cili, në një skenë filmi, me një gjest të thjeshtë, i dha autorit një ndjenjë babai që ai nuk kishte njohur në jetën e tij reale. Këto momente intime dhe njerëzore, të shoqëruara me përshkrimin e përkushtimit të aktorëve për të krijuar art autentik, tregojnë se si kinemaja shqiptare arriti të ruante një shpirt të pavarur dhe të përjetshëm, pavarësisht prangave ideologjike.
Shanaj gjithashtu prek dhe periudhat e censurës dhe sfidat me të cilat përballej arti i pavarur nën sistemin socialist, duke reflektuar mbi ndikimin që pati kjo në krijimtarinë artistike dhe në zhvillimin e kinemasë shqiptare. Në këtë libër, lexuesit do të gjejnë një përzierje të pasionit për artin dhe përkushtimit ndaj tij, si dhe mësime të vlefshme mbi përballimin e vështirësive.
“Apologji e vërtetë” e vërtetë e Mevlan Shanaj
A është ky libër një “apologji e vërtetë” që Shanaj i bën filmit shqiptar, kinematografisë shqiptare, punës dhe përkushtrimit të dhjetëra dhe qindra atyre që edhe pse në kushte të vështira dhe me privacione të mëdha, arritën të ngrinin përmendoren e një tradite, si një akt i themeltë vlerash artistike dhe kurrsesi jo si një shërbestari ndaj regjimit diktatorial, kohë në të cilën u farkëtua mjeshtëria e artit kinematografik. Siç dihet Mevlan Shanaj ka qenë në ballë të stuhive dhe sulmeve, me të cilën u përball filmi shqiptar, filli detyrues ideologjik, i të cilit nuk e zbehu artin e madh të kinemasë, që u krijua në atë kohë dhe rrethana. Ndryshimet politike dhe zelltarët e përjashtimit të gjithçkaje që vinte nga e kaluara, pa e gjykuar më parë për vlerat dhe rëndësinë që bart një etapë e zhvillimit artistik, kërkuan që filmi të digjej, siç bëri inkuizicioni me mendimin dhe iluminizmin.
Po, “Të fshehta jashtë ekranit” mund të lexohet si një “apologji e vërtetë” për filmin dhe kinematografinë shqiptare, një dëshmi dhe mbrojtje pasionante e vlerave të artit filmik të krijuar në kushte të jashtëzakonshme. Mevlan Shanaj, përmes këtij libri, i bën një nder brezave të aktorëve, regjisorëve, skenaristëve dhe gjithë artizanëve të ekranit, të cilët, pavarësisht kufizimeve ideologjike dhe privacioneve materiale, ndërtuan një traditë të qëndrueshme dhe autentike.
Libri i tij nuk është një thjesht përkujtim i romantizuar i së shkuarës, por një reflektim kritik mbi kontekstin dhe rrethanat ku arti shqiptar u zhvillua. Shanaj e pranon hapur prangat ideologjike të kohës, por thekson me forcë, se përkushtimi dhe mjeshtëria artistike e krijuesve arritën të prodhojnë vepra që tejkalojnë diktatin ideologjik dhe mbeten të vlefshme si pasuri kulturore. Ai i qëndron idesë se arti nuk mund të gjykohet vetëm nga kushtet në të cilat është krijuar, por edhe nga mesazhet dhe emocionet që përcjell te publiku.
Në mbrojtje të traditës filmike shqiptare
Shanaj, si aktor, regjisor dhe krijues që jetoi dhe kontribuoi në atë epokë, del në mbrojtje të filmit shqiptar kundër valës së fshirjes dhe mohimit që pasuan ndryshimet politike të viteve ’90. Ai sfidon narrativën e përjashtimit absolut, duke theksuar se vepra të tilla nuk mund të reduktohen në shërbime ndaj regjimit, por duhet të vlerësohen si pjesë e themelimit të një tradite artistike që pasuroi kulturën kombëtare.
Libri përbën gjithashtu një kritikë të heshtur ndaj atyre që, në përpjekjen për të distancuar artin nga ideologjia, kanë refuzuar çdo lloj angazhimi me të kaluarën artistike. Në këtë pikë, Shanaj përfaqëson një zë që kërkon ribalancim të historisë: që kinemaja shqiptare të gjykohet jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për kontributin e saj në edukimin estetik dhe shpirtëror të një kombi.
Arti përballë ideologjisë
Shanaj argumenton se filmi shqiptar, përtej kufizimeve të epokës, arriti të krijojë vepra të mëdha, ku mjeshtëria e aktorëve dhe regjisorëve u shndërrua në një forcë estetike sfiduese. Ai nuk i shmanget të vërtetës për ndikimin ideologjik, por më shumë e sheh atë si një sfidë që krijuesit shqiptarë e kapërcyen me guxim dhe talent. Përmes kujtimeve dhe portreteve të detajuara të artistëve të njohur, libri bëhet një monument i respektit dhe mirënjohjes, një përpjekje për të fiksuar vlerat e një epoke që nuk duhet harruar.
“Të fshehta jashtë ekranit” nuk është thjesht një apologji për kinemanë shqiptare, por një traktat mbi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë artistike si një akt themelor i kulturës kombëtare. Shanaj, në këtë vepër, shfaqet si një dëshmitar i historisë, një krijues i angazhuar dhe një mbrojtës i fuqishëm i artit që, pavarësisht erërave të ndryshimit, duhet të vlerësohet dhe ruhet. Kjo qasje është një thirrje për reflektim mbi mënyrën se si e gjykojmë të kaluarën dhe për rëndësinë e ndërtimit të një narrative të balancuar dhe të drejtë për artin tonë kombëtar.
Kujtime dhe reflektime
“Të fshehta jashtë ekranit” është një përmbledhje kujtimesh dhe reflektimesh mbi kinematografinë shqiptare dhe përvojën e autorit si regjisor, aktor, dhe producent në Shqipëri. Mevlan Shanaj ndan histori prapaskenash, anekdota dhe përvoja personale që pasqyrojnë sfidat dhe arritjet e artistëve shqiptarë gjatë periudhave të ndryshme historike, përfshirë kohën e diktaturës dhe tranzicionin pas saj.
Libri përfshin ndodhi reale nga xhirimet e filmave të njohur shqiptarë dhe jep një pamje më të gjerë të asaj që ka ndodhur “jashtë ekranit,” ku përballen vështirësitë, censura dhe përpjekjet për të ruajtur autenticitetin artistik. “Të fshehta jashtë ekranit” është një libër me vlerë për këdo që dëshiron të kuptojë më thellë artin dhe industrinë e filmit në Shqipëri, veçanërisht gjatë dekadave të vështira të izolimit politik.
Përmasa e një trashëgimie artistike
Libri “Të fshehta jashtë ekranit” nga Mevlan Shanaj përfaqëson një mozaik artistik, kritik dhe personal, që ndriçon skenën dhe ekranin shqiptar përmes një qasjeje introspektive e narrative. Duke kombinuar kujtime, reflektime dhe analiza, Shanaj sjell për lexuesin një dokument të vyer, ku ndërthuren arti, historia dhe vetëdija kulturore.
Në shfletimin e këtij libri do ju duhet të përthyeni faqet për t’u rikthyer sërish aty ku Shanaj shkruan për Sandër Prosi, që sipas tij përfaqëson fisnikërinë dhe përkushtimin në art, duke ndarë njëherash me lexuesin momentet prekëse të jetës dhe vdekjes së tij tragjike.
Për t’u ndalur te liriku Lasgush Poradeci, një figurë që shfaqet si përzierje e gjenialitetit poetik dhe veçantisë karakteriale, dhe përcjellë plot emocion figurën e Marie Krajës, mishërimi i fisnikërisë dhe përkujdesjes njerëzore.
Shanaj nuk kufizohet vetëm në interpretimin e këtyre personaliteteve, por zbulon edhe momentet e tyre më njerëzore, shpesh duke i lidhur me përvojat e veta. Në këtë mënyrë, libri bëhet një ndërthurje e jetës personale të autorit dhe historisë kulturore të Shqipërisë.
Një lente kritike dhe estetike e tërësores së librit
Libri reflekton një ndjeshmëri të lartë estetike dhe një kritikë të nuancuar. Shanaj mbështetet në përvojën e tij si aktor dhe regjisor, për të vënë në pah evoluimin e artit shqiptar dhe dilemat që e kanë shoqëruar atë në kontekstin e ndryshimeve shoqërore e politike.
Stili i autorit është i ngrohtë, shpesh poetik, duke krijuar një lidhje të ngushtë emocionale me lexuesin. Megjithatë, mund të vërehet një tendencë për nostalgji të tepruar, e cila mund të zbehë balancën objektive të analizës.
“Të fshehta jashtë ekranit” është më shumë se një libër kujtimesh; është një dëshmi e gjallë e një epoke të artit shqiptar dhe një udhëtim estetik që pasuron këdo që e lexon. Shanaj arrin të ruajë një zë autentik, duke ofruar një burim të çmuar për brezat e ardhshëm të artistëve dhe studiuesve të kulturës.