Të gjitha detajet e ligjit të Dosjeve, zyrtarët që ndëshkohen

Drafti parashikon subjektet që do të verifikohen ku përfshihen jo vetëm drejtuesit më të lartë të vendit, por edhe të zgjedhurit vendorë dhe deri drejtuesit e departamenteve të disa prej institucioneve më të rëndësishme. Kontrolli, sipas pr/ligjit do të kryhet përmes Autoritetit të Kontrollit të Figurës, veprimtaria e të cilit parashikohet të vijojë deri në 31 Dhjetor 2030.

Subjektet që do të verifikohen

Pr/ligji parashikon subjektet e verifikimit ku përfshihen të gjithë funksionarët publikë, të cilët ushtrojnë një nga funksionet e Presidenti i Republikës së Shqipërisë, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë; anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat dhe funksionarët politikë, nëpunësit civilë të nivelit të lartë dhe të nivelit të mesëm drejtues. Gjithashtu subjekt verifikimi janë edhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive, kancelarët në gjykata e prokurori, si dhe çdo subjekt që ka statusin e gjyqtarit apo të prokurorit.

Drafti parashikon edhe verifikimin e funksionarëve të emëruar nga Kuvendi, Presidenti apo Këshilli i Ministrave, anëtarë dhe kryetarë të organeve kolegjiale drejtuese të komiteteve apo institucioneve në varësi të Kryeministrit apo një ministri, guvernatorë, zëvendës-guvernatorë, anëtarët e Këshillit drejtues dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë, funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”, Po kështu Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave; drejtuesit e drejtorive të administratës publike në nivel qarku dhe prefekture;

Anëtarët e këshillave të qarkut si dhe të këshillave bashkiake; Funksionarë në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin i Kontrollit te Brendëshëm (SHKB); Komandanti i Gardës e Republikës; Drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë policie në nivel qarku si dhe në nivel komisariati; Avokati i Popullit, Komisioneri Kunder Diskriminimit, Komisioneri për Mbrojtjen e të dhënave personale dhe punonjësit e zyrave përkatëse, si edhe çdo drejtues dhe punonjës i institucioneve te tjera buxhetore të pavarura. Ambasadorë në përfaqësitë diplomatike jashtë Shqipërisë.

Drejtuesit dhe anëtarët e forumeve drejtuese në nivel qëndror apo vendor të partive politike parlamentare si dhe të atyre që financohen nga buxheti i shtetit;  Drejtori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Radios, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Televizionit dhe drejtorët e departamenteve në Radiotelevizionin Publik Shqiptar; Këshilli Drejtues i RTSH, drejtori, zëvendësdrejtori dhe drejtorët e departamenteve në ATSH, si dhe drejtori dhe anëtarët e AMA-s.  Rektorë, zv/rektorë, dekanë të universiteteve shtetërore publike dhe private si dhe drejtorët e shkollave të mesme publike dhe private.

Inspektori i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive. Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë apo i zgjedhur nga Kuvendi.

Autoriteti i Kontrollit

Në draft parashikohet krijimi i Autoritetit të Kontrollit të Figurës,  i cili organizohet dhe funksionon si autoritet i pavarur.

Autoriteti është person juridik publik dhe ka buxhetin e vet të pavarur, që financohet nga Buxheti i Shtetit dhe nga donacione të ndryshme. Autoriteti është organ i përhershëm mbikëqyrje dhe kontrolli i pastërtisë së figurave të funksionarëve.

Autoriteti përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët emërohen nga Kuvendi, me propozime që vijnë nga Presidenti i Republikës; Shoqëria civile (nga të gjitha organizatat e shoqërisë civile, duke iu dhënë prioritet atyre të të drejtave të njeriut dhe shoqatave të ish të persekutuarve nga regjimi komunist).  Në rast se vendi i një apo më shumë anëtarëve mbetet vakant për mungesë propozimesh ose për pamundësi zgjedhjeje, Kuvendi emëron anëtarin përkatës midis të paktën 2 kandidaturave të propozuara nga shoqëria civile. Kryetari i Autoritetit zgjidhet me votim të fshehtë nga antarët e Autoritetit

Papajtueshmëria e funksioneve

Pastërtia e figurës morale është e papajtueshme, me mbajtjen prej funksionarit publik, gjatë periudhës 24.10.1944 deri 31.3.1991 të një prej detyrave të mëposhtme:

Anëtar qeverie,  anëtar i Këshillit Presidencial, kryetar dhe anëtar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm dhe zëvendës të tij, para zgjedhjeve të 31 Marsit 1991.

Sekretar i parë ose i dytë i komitetit të partisë së rrethit, sekretar i parë i rinisë së rrethit, kryetar dhe n/kryetar i organizatës së frontit demokratik, kryetar ose zv. kryetar i komitetit ekzekutiv të rrethit.

Oficer madhor apo funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit si dhe kryetar dege; punonjës operativ, legal apo ilegal,, bashkëpunëtor sekret  i organeve të Sigurimit të Shtetit ose që ka bashkëpunuar në çdo mënyrë tjetër me Sigurimin e Shtetit, deri më 2.07.1991. Ambasador, sekretar ambasade dhe këshilltar në përfaqësitë diplomatike shqiptare. Hetues në organet e Sigurimit të Shtetit si dhe prokuror, gjyqtar apo ndihmës gjyqtar në procese hetimore apo gjyqësore për vepra penale politike ;

Denoncues apo dëshmitar rëndues në proceset hetimore apo gjyqësore për vepra penale politike.

 

Funksionarët publikë me mandat kushtetetues dhe çdo person tjetër i zgjedhur nga Kuvendi janë subjekte të verifikimit sipas këtij ligji. Ata nuk e ndërpresin mandatin kushtetues apo detyrën ku janë zgjedhur, por të dhënat e grumbulluara nga verifikimi publikohen detyrimisht. Në çdo rast, një funksionar publik i tillë mund të dorëhiqet përpara përfundimit të mandatit të tij dhe në këtë rast dosja e tij nuk publikohet.

Rezultatet përfundimtare të procedurës së verifikimit

Në përfundim të procedurës së verifikimit, Autoriteti: a) Kur rezulton se subjekti i verifikuar është i papërfshirë në veprimtaritë e përcaktuara në nenin 17 të këtij ligji, vendos për lëshimin e dëshmisë së pastër të figurës morale. Kjo dëshmi plotësohet sipas formularëve të aneksit "A" dhe "A/1" bashkëlidhur këtij ligji dhe nënshkruhet nga kryetari apo, në mungesë të tij, nga zëvendëskryetari. Dëshmia i komunikohet kërkuesit të procedurës së verifikimit, si dhe subjektit të verifikuar.

b) Kur rezulton se subjekti i verifikuar është i përfshirë në veprimtaritë e përcaktuara në nenin 17 të këtij ligji, vendos të lëshojë dëshminë e verifikimit të figurës morale, sipas formularit të aneksit "B/1" bashkëlidhur këtij ligji. Kjo dëshmi, e nënshkruar nga kryetari ose, në mungesë të tij, nga zëvendëskryetari, i njoftohet subjektit të verifikuar si material konfidencial. Pas marrjes së dëshmisë, sipas kësaj shkronje, subjekti i verifikuar ka të drejtë të njihet me aktet e përfshira në dosjen e tij pranë Autoritetit nëpërmjet nënshkrimit të formularit për mbrojtje të informacionit të klasifikuar.

Kur zyrtari nuk është dakord me vendimin e shkronjës “b’’, te paragrafit te parë te këtij neni apo ka pretendime te tjera ndaj komisionit, ai gëzon te drejtën te paraqesë shpjegime me shkrim dhe dokumentacion provues për çështjen brenda 30 ditëve. Autoriteti ka detyrim të shqyrtojë shpjegimet e zyrtarit dhe brenda 10 ditësh nga paraqitja e tyre të vendos:

a) lënien ne fuqi të vendimit, ose:

b) ndryshimin e tij.

Një kopje e këtij vendimi i njoftohet brenda 10 ditësh, zyrtarit dhe institucionit të tij të punës apo organit që e ka zgjedhur. Autoriteti lëshon dëshminë verifikimit, sipas formularit "përkatës"; ose lëshon dëshminë, sipas shkronjës "a" të pikës 1 të këtij neni.

Njoftimi i institucionit kryhet sipas formularit “B”. Ky vendim mund të ankohet vetëm sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj.

Kur subjektet verifikuese mund të ankimohen në Gjykatë

 

Në draftin për hapjen e dosjeve parashikohet edhe vlera e dëshmisë së verifikimit dhe e drejta e një ankimimi gjyqësor nga subjekti i verifikuar.Sipas draftit, dëshmia e verifikimit, ka fuqi të plotë provuese mbi faktin e pastërtisë së figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar, përveç rasteve kur goditet për falsitet.

Subjekti i verifikuar mund të ankimojë dëshminë e verifikimit, sipas shkronjës "b" pika 1 të nenit 23 të këtij ligji, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Me kërkesë të subjektit që verifikohet, gjykata vendos zhvillimin e gjykimit. me dyer të mbyllura.

Po kështu drafti në një nga nenet e tij parashikon pasojat e dëshmisë në rastin e personave që do të kryejnë një funksion publik. Kështu kërkuesi i procedurës ose vetë subjekti i verifikuar, menjëherë pas marrjes së dëshmisë së verifikimit, të lëshuar sipas shkronjës "a " të pikës 1 të nenit 23 të këtij ligji, e paraqet për depozitim atë në institucionin, pranë të cilit do të fillojë të kryejë funksionin publik ose pranë organit që bën regjistrimin e kandidatëve për proces zgjedhor.

Kërkuesi i procedurës, menjëherë pas marrjes së dëshmisë së verifikimit, të lëshuar sipas shkronjës "b" të pikës 1 të nenit 23 të këtij ligji, thërret subjektin e verifikuar dhe i njofton atij skualifikimin nga vazhdimi i mëtejshëm i procedurës së emërimit ose zgjedhjes, për shkak të padenjësisë së figurës së tij.

Kur subjekti i verifikuar deklaron se ka bërë ankim gjyqësor dhe paraqet kopje të aktit të ankimit, procedura e pikës 2 të këtij neni nuk pezullohet derisa vendimi i gjykatës të marrë formë të prerë.

Kërkuesi i procedurës së verifikimit, menjëherë pas marrjes së dëshmisë së verifikimit, të lëshuar e depoziton atë në dosjen individuale të personelit.

Kërkuesi i procedurës së verifikimit, brenda 3 ditëve nga lëshimi i dëshmisë së verifikimit, sipas shkronjës "b" të pikës 1 të nenit 23 të këtij ligji, depoziton dëshminë në dosjen individuale të personelit dhe njofton subjektin e verifikuar për zhvillimin e një seance të mbyllur informuese brenda 10 ditëve.

Në këtë seancë marrin pjesë edhe dy persona të caktuar nga titullari i institucionit ose organi i emërtesës. Gjatë zhvillimit të kësaj seance informuese mbahet procesverbal, i cili nënshkruhet nga të gjithë të pranishmit. Subjekti i verifikuar, nëse e kërkon, pajiset me një kopje të procesverbalit.

Kur subjekti i verifikuar deklaron se ka ankimuar procedurën e verifikimit të zhvilluar nga Autoriteti dhe paraqet kopje të ankimit të tij, seanca informuese shtyhet për t'u zhvilluar menjëherë pas marrjes formë të prerë të vendimit gjyqësor.

Në rastet e tjera, kur subjekti i verifikuar në përfundim të seancës deklaron ose depoziton dorëheqjen e menjëhershme nga detyra, akti i dorëheqjes arkivohet në dosjen personale të subjektit dhe materiali verifikues (dëshmia e verifikimit dhe procesverbali i seancës informuese) mbetet konfidencial.

Kur subjekti i verifikuar deklaron se nuk dëshiron të japë dorëheqjen nga funksioni, atëherë, brenda 10 ditëve nga seanca informuese, mbi bazën e dëshmisë së verifikimit, përfundojnë marrëdhëniet e tij të punës me motivacionin "papajtueshmëri e figurës së funksionari sipas këtij ligjit".

TEMA

SHKARKO APP