Të gjithë në duart e kryeminsitrit dhe jo të drejtësisë
Nga: Ervis Iljazaj
Liria e fjalës dhe media në përgjithësi, tashmë nuk do të jetë më në duart e drejtësisë por në duart e burokracisë dhe burokratëve, të cilët pa asnjë dyshim janë të ndikueshëm nga pushteti politik i qeverisë. Kush mendon të kundërtën, edhe pse AMA apo AKEP formalisht janë autoritete administrative dhe rregulluese autonome, atëherë nuk jeton në Shqipëri, por në ndonjë vend skandinav. Mjafton të përmendim faktin se kryetari i ri i AKEP u emërua ish shefi i protokollit të kryeminitrit, për të kuptuar se sa të pavaruara do të jenë në të vërtetë këto autoritete.
Në këtë kuptim, ai që në një shtet të së drejtës duhet të jetë i kontrolluari, kryeminsitri dhe qeveria e tij, kthehet me ligjin anti-shpifje në kontrollor. Historikisht, përpjekja për të ndërtuar një demokraci funksionale dhe një shtet të së drejtës, ka qenë gjithmonë për të patur institucione, mekanizma, lirinë e shprehjes dhe të mendimit, apo gjykata që mund të kufizojnë pushtetin politik dhe të garantojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut pikërisht nga pushteti politik. Mirëpo, me këtë qeveri po ndodh të rësisht e kundërta. Të gjitha këto mekanizma, drejtësia, media, apo liria e shprehjes, jo vetëm që nuk po e kontrollojnë dhe kufizojnë dot pushtetin politik, por ky i fundit është kthyer në kontrollorin e tyre. Dhe ligji anti shpifje nuk është rasti i vetëm që ndryshon rolet midis të kontrollluarit dhe kontrollorit. Të njëjtën gjë bën dhe ligji i famshëm anti-KÇK, ku pushtetit ekzekutiv si policia i jepen kompetenca të pushtetit gjyqësor.
Në një regjim demokratik, pushteti ekzekutiv nuk jep drejtësi, nuk kontrollon dhe as lufton korrupsionin në pushtetin gjyqsor, por ndodh krejt e kundërta. Ndër shekuj, përpjekja e shoqërive demokratike ka qenë pikërisht të ndërtojë institucione për të kontrolluar pushtetin, pra qeverinë. Në këtë kuptim, pushteti ekzekutiv nuk mund të kthehet nga objekt kontrolli në kontrollues. Sepse nëse ndodh kështu, atëherë nuk jemi në një shtet të së drejtës, por në një parti-shtet.
Gjatë 30 viteve tranzicion shqiptarët janë mësuar me politikën që jep dhe bën drejtësi. Pikërisht për këtë arsye, me një sforco të madhe shoqërore, politike dhe ekonomike u aprovuar Reforma në Drejtësi, një nga reformat më të përfolura dhe që ka mbajtur peng shqiprinë për tre vite me radhë. Me shpresën se drejtësia e re do të vendos të bëjë drejtësi në mënyrë të pavarur, ndryshe nga sec jemi mësuar, ku kjo e fundit ka qenë totalisht e kapur nga pushteti politik. Mirëpo, nëse drejtësinë e re e bën përsëri qeveria, atëherë cfarë ka ndryshuar nga 30 vitet e fundit me Reformën në Drejtësi?!
Problemi me qeverisjen e Edi Ramës nuk janë ligjet, por fakti që gjykimet se si zbatohen ato bëhen po nga vet ai dhe jo nga gjykatat apo organe të tjera jashtë ndikimit të qeverisë. Në këtë kuptim, ajo që po ndodh me ligjet që ka aprovuar parlamenti kohët e fundit, është se këto ligje po i lënë të gjitha pushtet në një dorë të vetme. I njëjti i aprovon, i njëjti i ekzekuton dhe i njëjti i gjykon. Kështu që arbitrariteti që po krijon kjo qeveri me këto ligje, është në kufijtë e një autoritarzmi shumë të rrezikshëm për të ardhmen e Shqipërisë. Po të shtosh këtu, që në këto momente nuk ekziston as pushteti gjyqësor, as opozita e vërtetë dhe një president në procedurë shkarkimi me një vendim politik, atëherë axhenda e qeverisë duket sikur nuk mund të ndalet me asnjë mënyrë, përveçse po ndodhi ndonjë mrekulli që nuk duket aspak në horizont. /Gazeta Liberale/