Të hënën vihet kufiri, ndalon çdo qytetar e mjet nga Elbasani në Librazhd e anasjelltas
Nga dita e hënë dhe në vazhdim në zonat e quajtura të gjelbra siç janë Librazhd, Përrenjas, Pogradec do të ketë një sërë masash lehtësuese për qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve.
Një pikë kontrolli do të vendoset në Elbasan që do të ndalojë çdo qytetar të zonës së gjelbër për të ardhur në drejtim të Elbasanit dhe anasjelltas.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ishte sot atje për të inspektuar pikat e ngritura të kontrollit, ku ndahet Elbasani me Librazhdin dhe Pogradeci me Korçën. Gjithashtu pa dhe masat dhe veprimet konkrete të Policisë, të cilat do të ndërmerren duke filluar nga dita e hënë në 05:00 të mëngjesit dhe në vazhdim.
Vec ndalimit ata do të kenë dhe detyrë kontrollin e të gjithë mjeteve dhe qytetarëve, të cilët do të qarkullojnë në këtë zone.
Veliu: Siç e shikoni këtu është ndërtuar një pikë kontrolli, me detyrë kontrollin e të gjithë mjeteve dhe qytetarëve, të cilët do të qarkullojnë në këtë zonë dhe si detyrë kryesore ndalimin e çdo qytetari të zonës së gjelbër për të ardhur në drejtim të Elbasanit dhe anasjelltas, ndalimin e çdo qytetari dhe mjeti nga Elbasani në drejtim të Librazhdit. Theksoj dhe njëherë që kjo zonë e gjelbër është zonë vetëm për banorët e kësaj krahine
Në këto zona do të ketë lehtësira
05: 00- 08: 30 do të lëvizë Mosha e tretë pa autorizim
Pas orës 09:30 – 17:30 do të lëvizin qytetarët e tjerë pa autorizim
Pas orës 09:30 – 17:30 do të lëvizin drejtuesit e mjeteve pa autorizim.
Jo lokaleve – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nënvizoi se kjo lëvizje nuk do të thotë hapje të lokaleve
“Kjo do të thotë se këta do të kenë një përparësi përsa u përket kohës dhe vendeve ku do të dalin, por nuk do të thotë që të shkelin të gjitha detyrimet përsa i përket distancimit social dhe pjesës së lokaleve dhe ambienteve të tjera, të cilat nuk janë të lejuara.
Qyteti i Pogradecit është qytet i cili është përfshirë në zonën e gjelbër, ku të gjithë qytetarët në vazhdim, duke filluar nga dita e hënë, prej orës 05:00 të mëngjesit do të kenë një lirshmëri më të madhe përsa i përket lëvizjeve dhe gjithçkaje e përfshirë dhe e parashikuar në bazë të masave të marra për situatën e krijuar nga COVID-i.
Jo më shumë se dy qytetarë- në këto zona të gjelbërta do të respektohet distancimi social.
“ jo më shumë se dy qytetarë së bashku dhe duke mos frekuentuar parqet, duke mos frekuentuar ambientet apo vendet publike dhe duke marrë të gjitha masat e nevojshme për të minimizuar dhe ruajtur këtë zonë, pra Pogradecin, Përrenjasin, Librazhdin dhe gjithë zonën tjetër të paprekur nga koronavirusi.” Nënvizoi Veliu.
Ai bëri thirrje qytetarëve të Pogradecit, por jo vetëm, edhe qytetarëve të tjerë të cilët janë të përfshirë në zonat e gjelbëra, pra në bashki të cilat tashmë janë publike, të jenë pjesë bashkëpunuese përsa i përket respektimit të të gjitha detyrimeve përsa i përket respektimit të normave, përsa i përket sjelljeve, për faktin sepse duke respektuar këto norma, bëhen pengesë për të shpërndarë virusin dhe njëkohësisht rritin elementët e sigurisë, të cilët tashmë janë jashtëzakonisht të nevojshëm për të konsoliduar këtë situatë të qetë që ndodhet në këtë brez të gjelbër.
Gjatë inspektimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ishte i shoqëruar nga drejtori vendor i Policisë Elbasan Arjan Muça dhe drejtori vendor i Policisë Korçë Lorenc Panganika.