Të huajt po blejnë banesa në Durrës
Eridin Fishta është një konsulent në fushën e pasurive të paluajtshme. Këto ditë ai po interesohet për blerje apartamentesh në Durrës për llogari të klientëve polakë. Zhvillimi i turizmit dhe rimëkëmbja ekonomike pas tërmetit dhe pandemisë ka rritur ndjeshëm interesin e të huajve për tregun e pasurive të paluajtshme në bregdetin e Durrësit.
”Turizmi e ka zhvilluar shumë interesin e grupit polak që vijnë gjatë sezonit turistik. Ka shumë polakë që shfaqin interes jo vetëm për bukurinë që ka Shqipëria dhe zona po dhe për klimën e favorshme. Zona për të cilat janë më të interesuar janë apartamente me pamje nga deti, pjesa e plazhit, Golemi, po dhe pjesa e qytetit duke qenë se Durrësi do të zhvillohet. Të huajt preferojnë apartamentet 50-70 m2, ato me sipërfaqe më të mëdha janë më tepër për çështje luksi”,-thotë për ”TCH”.
Për të përveç turizmit, ndikim në treg kanë edhe investimet që po bëhen në Durrës. Blerja e një prone në bregdet dhe çmimet konkuruese krahasuar me tregun evropian konsiderohen si një investim i mirë kapitali, veçanërisht në këto kohë. ”50 metra larg bregut të detit, mund të blesh një apartament 50-70 m2 për 35-40 mijë euro”.