Të jesh mësues sot!

Nga: Gentiana Nishica Malaj

Arsimi mbetet sfida më e bukur dhe më e vështirë. Kalimi i fëmijëve në kufijtë dhe tokat e dijes e bën profesionin e mësuesit një mision fisnik. Edgar Morin, sociolog dhe filozof francez, citon Platonin për të kujtuar si dashuria dhe pasioni për mësimdhënien, janë elementët themelorë të nevojshëm për mësuesit.

Në latinisht edukim (e-ducere) do të thotë të udhëheqësh, të nxjerrësh në dritë diçka që është e fshehur. Ky “rrugëtim” fëmijëve duhet t’u sigurohet sa më i mirë, sepse vetëm një i tillë përmirëson shanset e tyre në jetë duke u bërë kështu faktor i begatisë dhe i mirëqenies shoqërore.

Sipas Jean Piaget (psikolog zviceran) dy janë pritshmëritë e arsimit, që përbëjnë dhe detyrat parësore të shkollës. “Qëllimi kryesor i arsimimit është të krijojë njerëz, që janë të aftë të bëjnë gjëra të reja, jo thjesht të përsëritin ato që kanë bërë brezat e tjerë – njerëz që janë krijues, shpikës dhe zbulues. Qëllimi i dytë i arsimimit është të formojë mendje, që mund të jenë kritike, që të mund të verifikojnë dhe jo të pranojnë çdo gjë që u jepet”.

Me gjithë vlerat që kanë metodat e mësimdhënies, që na arsimuan e na bënë ne përçues të dijeve, sot duhet t’u lihet hapësirë metodave bashkëkohore, sepse procesit të globalizimit nuk mund t’i shkojë tangjent as shkolla dhe siç thotë Jerome Bruner (psikolog amerikan) në librin e tij “Procesi i edukimit” “të mësuarit nuk duhet vetëm të na çojë ne diku; ai duhet të na lejojë që më vonë të shkojmë më lehtë dhe më shpejt atje…ai duhet të na shërbejë në të ardhmen”.

Tre forma të mësimdhënies janë kryesore:
1. Kursi mësimor, i cili shërben për përfitimin e njohurive deklarative.
2. Trajnimi, i cili shërben për ushtrimin e njohurive dhe kompetencave.
3. Projekti, në të cilin bëhet mësimi për zgjidhjen e problemeve.

Të mësuarit mbi bazën e projektit (MBP) është një metodë e ndërsjellë e të mësuarit që organizon aktivitete autentike. Duke përdorur një përqasje me nivel të lartë krijues, që ka si qendër aktivitete edukative të botës reale, mësuesit përqendrohen tek interesi i nxënësit në lidhje me programin mësimor. Ndërkohë që bëhen anëtare integralë të një grupi projektuesish, ata kërkojnë, interpretojnë, krijojnë, analizojnë dhe zgjidhin probleme që kanë interes për ta.

Nxënësit kanë një shkallë të lartë motivimi nga puna me projektet, sepse ata angazhohen në çdo etapë të këtij procesi. Në këtë mënyrë ata nxiten nga një kërshëri natyrore, përfshihen në mënyrë aktive në procesin e të nxënit duke kërkuar dhe zbuluar ato çka përbëjnë interes për ta. Kjo përmbush dhe detyrën e shkollës për të edukuar breza, që të jenë zbulues dhe jo fotokopje ose kalk i brezave të mëparshëm. Fantazia e nxënësve duhet nxitur e vënë në lëvizje, sepse siç lexojmë te “Pathways to Thinking: Strategies for Developing Independent Learners” : “Mendja e një fëmije është si një punishte. Punishtja përmban një koleksion të çuditshëm të materialeve (njohuritë) dhe veglave (proceset e të nxënit), të cilat mund të përdoren për të nxjerrë produkte të reja (rregullat, strategjitë, hipotezat, skemat etj).”

Të mirat e MBP-së janë se angazhon nxënësit, rrit ndërveprimin dhe bashkëpunimin, përfshin mjete kërkimore, përdor teknologjinë, nxit zgjidhje për probleme të ndryshme, aplikon dhe zgjeron teknika për situata të panjohura, integron programin mësimor, prezanton sfida, përfshin suksesin dhe ç’ është më e rëndësishmja vlerëson arritjet.
Kur flasim për metoda bashkëkohore (dhe këtu nënkuptohen ato me në qendër nxënësin), nuk duhet të keqkuptojmë që mësuesi është tërësisht pasiv dhe shërben vetëm për të vlerësuar arritjet e nxënësve në fund të orës së mësimit.

Sipas John Dewey (filozof dhe psikolog amerikan) “Një zbulues i ngjashëm me një nxënës naiv, nuk di akoma çfarë terreni dhe aventurash të paparashikuara do t’i ndodhin gjatë ditës. Mësuesi është si të thuash mbajtës i hartës së një lënde, njeh mirë territorin dhe i jep hartën nxënësit. Pastaj edhe pse nxënësi nuk ka përvojat psikologjike të një zbuluesi, përpiqet t’i japë kuptim tokës së re”.

Çdo nxënës është minibotë më vete. Për t’i unifikuar në një dhe për të arritur rezultatet e pritshme të dëshirueshme, duhet që mësuesi t’i njohë e t’i “zotërojë” mirë ato. Shpesh mes kolegësh themi: “Si janë bërë dhe këta nxënësit e sotëm. Ne kemi qenë ndryshe.” Harrojmë që kështu kanë thënë dhe për ne në mbledhje këshillash pedagogjikë mësuesit tanë e kështu do thonë nesër ish-nxënësit tanë për nxënësit e tyre.

Morin kujton se të rinjtë janë të njëjtë në të gjithë botën, kanë nevojë të njohin e rinjohin misterin e jetës, intimitetin psikologjik që mund t’ua japë poezia, letërsia, filozofia. Me metaforën e fluturës, që para se të bëhet e tillë është një krimb, Morin na tregon rrugën për ndryshim, që është dhe transformim i dhimbshëm. Udha e rritjes personale, sociale të të rinjve dhe integrimi i tyre në shoqërinë e sotme kërkon kalimin e kufijve të individualizmit dhe rendjen drejt së resë, sepse ashtu siç thonë shpesh nxënësit e mi duke cituar Marsel Prustin “Të zbulosh nuk do të thotë të kërkosh toka të reja, por të kesh sy të rinj”.

SHKARKO APP