Të jesh patriot vetëm me fjalë

Të mendosh e veprosh së pari për veten tënde, për tarafin tënd e militantët tuaj e në planin e fundit të lësh qytetarin, është antipatriotike. Të bësh këtë do të thotë të duash veten tënde, interesin tënd e nëse tepron diçka nga kjo dashuri t’jua japësh të tjerëve.
Nga Dhimitër Muslia*
Nuk mjaftojnë fjalët e sloganet e mira për vendin e popullin tënd që të jesh patriot. Patriotizmi është vlerësuar nga veprat e qëndrimet ndaj vendit tënd, në çdo kohë. Rilindësit tonë për çështjen kombëtare përdorën të gjithë aftësitë e tyre intelektuale dhe për këtë çështje të madhe shkrinë të gjithë pasurinë e tyre materiale. Të gjithë thonë se janë patriot. Disa prej tyre kanë vetëm qënien e tyre fizike për vendin e kombin e vet dhe në se është nevoja e vënë në shërbim të tyre. Disa kanë milionat dhe në shërbim të vendit e popullit të tyre vënë vetëm fjalët. Disa të tjerë marrin padrejtësisht nga qytetarët e vendi i tyre e për Atdheun e Popullin flasin me pasion, vetëm me fjalë. E shihni sa është ndryshimi. Për të shkruar këto rreshta, mora indicje nga një publikim që është bërë në disa portale online mbi pasurinë e pagën e K/Ministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Mësova se me reformën e ndërmarrë prej tij, pagën e tij nga rreth 1050 euro e ka zbritur në 910 euro në muaj. Mësova se ka në pronësi të tij një banesë me rreth 38 m2. Në portale thuhej se ai (Vuçiç) nuk ka as makinë. Shumë e habitshme, tmerrësisht e habitshme kur bëjmë krahasimin e tij me zyrtarët tonë. E dimë se Serbia është një shtet me popullsi disa herë më të madhe se Shqipëria. E dimë se sipërfaqja territoriale është disa herë më e madhe se vendi ynë. Dimë se edhe Serbia është aspirante për anëtarësim në BE. Dimë dhe faktin tjetër se Serbia ekonomikisht, nuk është më keq se ne. Tani mësuam se nga taksat e qytetarëve të tyre administrata dhe të gjitha pushtetet në Serbi marrin disa herë më pak se administrata dhe të gjithë pushtetarët e të gjitha pushteteve tek ne.
K/Ministri Vuçiç paguhet rreth 4,5 herë më shumë se paga minimale në Serbi. Tek ne një pushtetar I lartë paguhet rreth 10 herë më shumë se paga minimale. A jemi ne mbi dy herë here me te pasur se qytetarët serbë? Absolutisht jo. Ne disa zona rurale varfëria tek ne është më e madhe se në zona përkatëse serbe. Një drejtor në ministri tek ne paguhet sa K/ministri serb. Pensioni I llogaritur për një deputet, prokuror, gjyqtar, zv/ministër ose zyrtari tjetër të lartë (që në numër janë mbi 3600) janë afërsisht sa paga mujore e K/ministrit të Serbisë. Të mos harrojmë se në raportet e institucioneve ndërkombëtare rezulton se korrupsioni tek ne është disa herë më i madh se në administratën serbe. Paga jo vetëm e një deputeti e ministri, por dhe e një gjyqtari, prokurori apo nëpunësi të lartë është më e madhe se ndihma ekonomike e 21 familjeve me nga 4 anëtarë. A ndodhë kjo atje pra në Serbi që ju referova pagës së Vuçiç? Të dhënat thonë se jo. Atëherë kush është më patriot për popullin e për vendin e vet, ata apo tonët? Shifrat janë kokëforta. Me fjalë ne jemi më patriotët e planetit. Realiteti lë shumë për të dëshiruar. Shembujt pozitiv duhet të merren kudo që ata të jenë. Pozitiven, qenësoren, patriotiken, të ndershëm duhet ta marrim dhe tek ata që nuk na pëlqejnë. Pozitivja është e tillë nga kushdo që e manifeston. Këtë me sa duket e ka demonstruar më së miri Vuçiç. Ja ku është shembulli I patriotizmit edhe për shtetarët tonë edhe për të gjithë ata të Ballkanit. Dikush mund të thotë se ne orientohemi nga vendet e BE. Mire është që së pari atje të orientohemi për plotësimin e mundshëm të mirëqenies së qytetarëve. Njerëzit në administratë e në funksione shtetërore vihen për t’ju shërbyer atyre, e jo për t’i zhvatur ata edhe me ligj (paga të larta) edhe pa ligj (përfitime të paligjshme). Të mendosh e veprosh së pari për veten tënde, për tarafin tënd e militantët tuaj e në planin e fundit të lësh qytetarin, është antipatriotike. Të bësh këtë do të thotë të duash veten tënde, interesin tënd e nëse tepron diçka nga kjo dashuri t’jua japësh të tjerëve. Në këto dekada nuk ka tepruar gjë. Fjalët për patriotizmin kanë përmbysur fjalimet e liderëve tonë…
*Kryetar i Partisë Kristian Demokrate

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?