”Të krijojmë qeveri teknike”, Berisha: Zgjedhje të lira dhe të ndershme, shenja u dha sot nga Kavaja

Nga dritarja e banesës, Sali Berisha sërish ka folur për qeverinë teknikë. Për të kjo është mënyra e vetme për të larguar qeverinë ”Rama 3” që sipas tij ka pushtuar Shqipërinë dhe për të shkuar drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

”Rruga e vetme e shpëtimit është rruga e mosbindjes civile. Rruga e largimit nga pushteti të kësaj qeverie, të këtij njeriu që ka sot të gjitha pushtetet në duart e tij. Në vitin 1990, djemtë e Kavajës nuk kishin përveç njëri-tjetrit asnjë mbështetje mbi tokë. Por kjo nuk i pengoi ata të përballen dhëmb për dhëmb në mosbindje civile me të keqen e kombit, me të keqen e shoqërisë dhe të fitojnë mbi të.

Duke shprehur nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme, për heronjtë e betejës epike të stadiumit dhe qytetit të Kavajës 34 vite më parë, ftoj shqiptarët të frymëzohen nga akti i tyre epik dhe të fitojmë. Të largojmë dhe ne këtë të keqe të madhe që ka pushtuar Shqipërinë.

Miqtë e mi, korrupsioni është mynxyrë. Është mynxyrë e madhe! Është rrënimtar. Ndaj dhe edhe njëherë, rikthehem te stadiumi i Kavajës 34 vite më parë. Rrugë tjetër për t’u marrë me diktaturën, përveç mosbindjes civile nuk ka. Ndaj duhet guxim, guxim dhe guxim. Dhe të shporrim, të largojmë nga pushteti këtë bandë, këtë aleancë të pushtetit me krimin.

Të krijojmë qeverinë teknike, të shkojmë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Koha është e guximtarëve, guximtareve. Ndaj dhe koha ka ardhur, çdo ditë që kalon është ditë e humbur të ecur të sigurt drejt fitores që na pret. Drejt fitores që meritojmë. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria”,-tha Berisha.

SHKARKO APP