Të miturit dhe krimi/ Gjykatat në “hall” për të zbatuar kodin e ri për një drejtësi miqësore 

Kodi i të miturve urdhëron institute të reja për një drejtësi miqësore ku ofrohen ndërmjetësimi si dhe paralajmërimi me shkrim dhe me gojë që duhet t’i bëjë gjykata.

Prej 18 vitesh gjyqtare dhe profesoreshë e magjistraturës, Tereza Merkaj këmbëngul se për të garantuar largimin e fëmijëve nga kriminaliteti, praktika ndërkombëtare por edhe kodi ynë lejon tolerancë ndaj personave nën 18 vjeç, të tillë deri tek zhvillimi i seancave me gjyqtarë pa tunikë dhe në salla si kjo e ndërtuar enkas në gjykatën e Tiranës.

“Ndryshe nga sallat e tjera të gjykimit, ku podium i gjyqtarit është më i lartë, këtu është më i ulët. Tregon që ka një klimë miqësore, klimë e besimit që është shumë e rëndësishme , kur janë të përfshirë të miturit. Ajo që rekomandojnë udhëzimet e drejtësisë penale për të mitur është që i duhet lënë të miturit të zgjedhë ku të ulet. Nëse ai kërkon mund të ulet edhe te vendi i gjyqtarit. Ligjvënësi e ka rregulluar me standardet më të larta të drejtësisë, që kërkon respektimin ndaj të miturit në një proces penal. Pra, një prej standardeve është trajtimi i të miturit në mënyrë miqësore”, thotë Merkaj.

Nga ana tjetër, Merkaj përshkruan qasjen aktuale të gjykatave shqiptare. “Frika për ta zbatuar drejt apo jo dispozitat ligjore i ka bërë që të ngurojnë, duke marrë parasysh edhe mungesën e modeleve. Modelet e para kanë dalë diku nga maji i vitit 2018, ndërkohë që kodi hyri në fuqi që në fillim të vitit 2018”, thotë gjyqtarja.

Si e paralajmëron gjykata të miturin e implikuar në krim? “Në rast përsëritjeje, çdo veprim I mëvonshëm dhune i të miturit, që do të kryhet ndaj motrës apo persona të tjerë do të sjellë pasoja ligjore për të, sepse shmangja mund të zbatohet vetëm një herë. Nëse gjatë periudhës së monitorimit të shmangies, i mituri kryen një tjetër vepër penale, nuk mund të zbatohet më sërish kjo shmangie”, sqaron Merkaj për “Top Channel”.

SHKARKO APP