Të moshuarit mbushin rrugët e Shkodrës, Ademi: S’e kuptoj, më duket tallëse kjo politikë

Kryeministri Rama futi për 60 orë në izolim të premten vendin, ndërsa paraditen e të shtunës dhe të dielës e rezervoi për të moshuarit dhe nënat me fëmijë nën 10 vjeç.

Kjo ishte situata sot në Shkodër, ku të moshuar dhe jo të moshuar, me dhe pa autorizim ju gëzuan ecjes dhe rrezeve të diellit.

Edhe pse ishte porositur qartë për ruajtjen  e distancës, në shumë raste kjo nuk u mor parasysh.

Grumbullimet në grupe nuk munguan.

Këtë shqetësim e ngriti edhe kryebashkiakja Ademi në Rtv Ora, sipas të cilës qeveria nuk ka një strategji të qartë.

Nëse është kufizim duhet të jetë për të gjithë.

Ademi: Fakti që ka dalje dhe lirohet për disa njerëz, për të moshuarit veçmas, gratë dhe fëmijët veçmas, cili është ndryshimi?Nëse kërkohet kufizim është për të gjithë. Pse ndiqet kjo politikë? Sot më është dukur tallëse. Sot kemi pasur në Shkodër shumë të moshuar që dilnin edhe bashkë, edhe pa autorizim dhe pa pasur një monitorim të kontrollit të afërsisë me njëri-tjetrin. Çfarë kuptimi ka pastaj?

Shkodra nuk kishte asnjë rast pozitiv sot me Covid 19. Por kryebashkiakja Voltana Ademi për Rtv Ora thotë se nga 29 teste të kryera gjatë ditës së djeshme përgjigjet kanë ardhur për vetëm 16 dhe për 13 të tjera nuk dihet ende rezultati.

Ndërkohë sot janë kryer 37 analiza të tjera.

Voltana Ademi: Nga informacioni zyrtar që kemi nga komisioni i emergjencës civile, kemi pritur rezultatet për 29 testet e bëra dje dhe përgjigjet kanë ardhur vetëm për 16. Diferenca  prej 13 testimesh të tjera akoma nuk ka ardhur. Nuk ka qenë e mundur të kemi të gjitha përgjigjet sot. Shpresoj që deri në darkë të kemi përgjigje. Nuk kam informacion se ku janë bërë, edhe sot janë bërë 37 të tjera. Ajo çfarë vërehet dy javët e fundit në Shkodër është se edhe pse kemi rritur masat dhe ka ndërgjegjësim të qytetarëve, ka një rritje të numrit të atyre që dalin pozitiv. Kjo është si pasojë e rritjes së numrit të testimeve, edhe pse jo ndonjë numër i madh.

SHKARKO APP