Të njohësh një njeri, një vend, një shemri?! Merr një biletë nga Amos Oz
Nga Edi Lesi-
Kur konflikti më i vjetër nê botë Izrael-Palestinë, shfaqet, tragjik si gjithnjë, ashtu si edhe mbreme me bombardimet e shtuara mbi Gaza, mund ta percjellësh në disa menyra. Me mirë se te ndjekësh studiot tona me të njëjtet zera të perjetshem, është sigurisht të fiksohesh tek BBC. Por, mos harro. Një liber i Amos Oz, gjendet diku, që të çon me afer në ato troje e atë atmosferë. Jo në majat e ‘Juda’, ‘Majkelli im’, apo ‘Për erresiren dhe dashurinë’, po prapë edhe me ‘Të njohesh nje grua’, shkrimtari hebre, kjo mendje kritike ndaj shtetit dhe frymëzues i bashkejetesës, të ben një udhetim në shoqerinë e fundit te viteve 80, e fillimi i atyre 90, nga kufinjte veriorë me Libanin e deri ne Egjipt, përmes veshtrimit të thuket, të një agjenti sekret, sherbim që është mbajtur si më i miri në planet, vetem se kesaj radhe, në këtë fillim tetori, njohu deshtimin më të madh në histori.
***
Janë pastaj ato rastësitë letrare që ta ngjeshin edhe më shume në duar një liber.
Pak kohë më parë, Sara ime, ziente e qe entuziaste për një referat që do mbante para klasës, mbi krijimtarinë e jeten e motrave Bronte. E zgjodhi vetë, dhe mori shumë vleresime. E ja ku shfaqet në këtë liber, e njejta situatë. Motrat Bronte, janë teza e doktoraturës e bashkeshortes së Joelit të Mosad, e cila merr e jep në kthinën e saj të vogël.
***
E gjitha kjo, një kurth, një sfond joshës, për kerkimin e vertetë psikologjik që po bën Amos Oz me agjentin e tij, diku tjetër, thellë në shtresat e një njeriu të zhveshur nga deshira, gezimi dhe meshira.
Ky trekendesh, prej nga ku ka dalë burri 49 vjeçar, e ka kthyer atë në një bosh që i konsumon ditët me vogelima pa kuptim.
Pa motiv, pa një plan, pa një ide, ai vjen verdalle, mes agimeve e perendimeve, duke mberritur në disa perfundime, se nuk ja ka dalë të njohë kurrë, asgjë, dhe as ata që ka pasur më afër gjithe jetën, as gruan e tij.
Në këtë kuturisje në këto rrathë të erret, ‘Te njohësh një grua’, është në fakt një ftesë që të kthesh dritën nga vetja, kjo në secilen kohë, kur sapiensi i zbrazur prej ndjenjave bazike shnderrohet në një objekt, send, i mekanizuar që kryen të njejten rutine, pa gjetur kurrfarë sensi.
Ky soj, është patjeter i aftë të beje dhe luftë, por jo paqe.
A ja del pra ai që shohim çdo ditë diku mes nesh… Njeriu, burri, prindi, bashkeshorti, profesionisti, i vjelur prej temave të medha, prej heroizmave, ciniku i pasosur, vramuzi i allzuhareve të zyrës, sterili emocional. A mund të nisë t’i regetojë zemra, e t’i gelojë pak gjak ne vena, në kesi udhekryqesh? Sipas Amos Oz, po.
Këtë zbulese e shpall në fund, kur rreket të rifutet në brinjët e jetës; deshire-gezim-meshire, atyre turneve të natës si vullnetar në spital.
Mes çarçafeve pis te te semureve që duhen nderruar, mes fashave me jod, koshave që kuterbojnë, mizerjes së plagëve, shisheve te serumit, karrocave për të pamundurit, e sidomos, aty ku është dhe nevoja më e madhe; për t’u dhene qetesi, kurajo e ngushellim, atyre që kane të padurueshmet dhimbje.
Me këtë permbysje të Oz, Joeli kthehet nga hiçi, dhe ja del të njohë veten, vendin, një grua, dhe mbase tjetrin.