Të Paekspozuarit, Dekriminalizimi, Luan Rama: Jam Skeptik, Krasniqi: 5 krerë të rinj bashkie janë të inkriminuar

 

“Mision i pamundur” është tema e rradhës e emisionit “Të paeskpozuarit” të Ylli Rakipit, ku është diskutuar për procesin e dekriminalizimit dhe qëndrimit që kanë mbajtur partitë politike me kandidatët e tyre, të akuzuar si të inkriminuar në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Në pjesën e parë të emisionit u transmetua materiali filmik mbi procesin e dekriminalizimit, qëndrimin e partive politike, kandidatët e përmendur si të inkriminuar dhe qëndrimin e Bashkimit Europian dhe Ambasadorit të SHBA-ve, Donald Lu. Më pas, vijoi biseda në studio me Luan Ramën, deputet I LSI dhe analistët Afrim Krasniqi dhe Lufti Dervishi.

“Partitë politike kanë reaguar në mënyra të ndryshme. Në rastin e Kurbinit dhe Këlcyrës, kandidatët u tërhoqën. Trupi diplomatik veproi në dy mënyra. Paltforma nuk do të zgjidhë asgjë”, deklaroi Krasniqi.

Luan Rama: Nuk ka vullnet për të realizuar dekriminalizimin

Ndërsa për Luan Ramën nuk ka një vullnet të mirëfilltë për të realizuar dekriminalizimin. “Kujt duhet t’ia kërkojmë dekriminalizimin përvecse kryetarëve të partive politike që firmosin emrat e kandidatëve në listë? Dekriminalizimi përdoret si demagogji. Nuk ka një vullnet të mirëfilltë, palët nuk respektuan parimet e draftit”, deklaroi Rama.

Mosbesues është shfaqur edhe analisti Dervishi.  “Unë besoj se është një listë e ofruar nga ambasadat perendimore, pa marrë listat e njëri-tjetrit. Unë nuk besoj që njerëzit besojnë, kur shohin se ata që gatuan sallatën, janë ata që duan të pastrojnë tavolinën”, ka deklaruar ai.

Luan Rama: Përbërja e Parlamentit sot, më poshtë se ai i pas viteve ’90

Të pyetur nga gazetari Rakipi për përbërjen e parlamentit, deputeti Luan Rama pohoi se përbërja e tij në këtë legjislaturë lë shumë për të dëshiruar.

“Përbërja e Kuvendit në këtë legjislaturë është shumë më poshtë se ai i pas viteve ’90. Ky është një perceptim publik dhe kjo ka një bazë reale. Është faji i lidershipit politik.Më përpara, në qeverisjen e Nanos kërkohej informacion nga Shërbimi Informativ Shtetëror informacion për deputetët apo ministrat. Sot kjo nuk bëhet. Dekriminalizimi duhet të jetë një proces i hapur dhe nuk mund të bëhet nga një komision i posacën i kuvendit për kuvendin. Duhet të bëhet me praninë e shoqërisë civile, medias. Shumica e deputetëve nuk e kanë idenë se cfarë ka në ato dy drafte. Procesi është katandisur si mos më keq”, ka deklaruar Rama.

Krasniqi: E kemi mbushur Parlamentin me njerëz që ke frikë t’i takosh

“E kemi mbushur Parlamentin me njerëz që ke frikë t’i takosh. Lëvizin me bodigardë dhe nuk mund të udhëtojnë në një pjesë të vendeve europiane. Por kjo ka të bëjë me ne. Për atë qytetarin në fshat, i inkriminuar është ai zyrtari i vogël që ka vjedhur dhe ka bërë korrupsion dhe jo ai që ka bërë një krim në Zvicër”,  shpreh Krasniqi.

Luan Rama: Kemi dhënë emra që mos kontestohen

Gazetari Rakipi ka pyetur panelistët nëse fituan në këto zgjedhje kandidatët e akuzuar si të inkriminuar.

“Unë po flas si palë që ka shqetëism për këtë cështje. Si sekretar i përgjithshm i LSI kur kemi hartuar listat ne kemi bërë kujdes dhe i kemi ofruar koalicionit jo vetëm në listat e kandidatëve për bashkitë, por edhe në listat e këshillave bashkiakë emra që të mos kontestohen apo që janë në kundërshtim me ligjin”, deklaroi Rama.

“Cfarë garancie ke sot ti për të thënë emra, kur kryeministri i ka mbi tavolinë emrat dhe nuk reagon”, ka thënë Krasniqi.

Luan Rama: Lëvizja paralele e dekriminalizmit, hapja e dosjeve

Deputeti Luan Rama ka hequr paralele mes procesit të dekriminalizimit dhe atij të hapjes së dosjeve të komunizimit për të treguar seriozitetin e tij.

“Ka një lëvizje paralele me dekriminalizimin, që është hapja e dosjeve. Modeli ekziston për të ndëshkuar dikë që nuk kandidon, apo nuk synon të ketë poste publike dhe këtë e bëjmë për të pastruar të kaluarën. Ndërsa për këtë që është alarmante dhe që ka ndikime të drejtëpërdrejta mbi zhvillimin e vendit kemi 6 muaj që e zvarrisim. Qasja jonë ndaj standardit nuk është gjithmonë e drejtë”, është shprehur Rama.

“E keqja fillon te liderët politikë që kanë akuzuar njëri tjetrin për krime deri për vrasje. Këta njerëz e kanë në dorë dekriminalizimin. Këtyre njerëzve duhet t’u ushtrohet presion”, është shprehur Krasniqi.

Dekriminalizimi i gjykatave, Dervishi: Mungon transparenca

Të pyetur për dekriminalizimin e institucioneve si gjykatat apo prokuroria, analisti Lutfi Devishi deklaroi:

“Këtu mungon transparenca dhe së dyti, këtu nuk dënohet gënjeshtra dhe kemi gjykata të dobëta. Nuk ka një hipokrizi më të madhe se ajo që njerëz që drekojnë me banditë, që vendosin numërues e kryetarë banditë, që kanë në telefona numrat e banditëve  bëjnë homazhe, referuar policit të vrarë në Lazarat. Fatkeqësia është se jemi në rreth vicioz dhe po shkojmë drejt pikës kritike”, ka deklaruar Dervishi.

Luan Rama: Gjyqtarët janë emërtesë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë

“Gjyqtarët janë emërtesë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kemi pasur raste gjykatësish me pasuri përrallore që nuk justifikohet nga paga e tyre. Ka pasur raste kur një gjykatës është gjykuar nga një gjykatë dhe më pas është emëruar nga KLD në gjykatën që e ka gjykuar dhe bënte moral. Duhet shkrirë KLD-ja që është kthyer në mjedis klientësh”, ka thënë Rama.

Gazetari Rakipi ka pyetur panelistët nëse besojnë te procesi i dekriminalizimit.

“Unë nuk besoj te dekriminalizimi”, ka thënë Krasniqi. “Unë jam skeptikë”, është shprehur Rama.

Krasniqi: 5 nga krerë të rinj bashkie janë të inkriminuar

Analisti Krasniqi ka deklaruar se nga ndërkombëtarët u identifikuan 8 kandidatë të inkriminuar, nga të cilët 5 fituan në zgjedhje dhe tani janë kryetarë bashkish. “U janë dërguar partive politike emrat e 5 fituesve që janë të inkriminuar. Ata i kishin në tavolinë dhe i kandiduan. Ishin 8 emra kandidatësh, nga të cilët 5 fituan”, ka thënë Krasniqi.

Luan Rama: Palët duhet të ulen, mos bëjnë retorika

Deputeti Rama deklari se dekriminalizimi duhet të bëhet patjetër. ‘Shoqëria është përballë kësaj sfide. Politika duhet t’i paraprijë nëse nuk do të bëhet pre e ndërshkimit të shoqërisë. Të lihet mënjanë retorika dhe palët të ulen dhe të mos mbrojnë të vetët dhe të sulmojnë të kundërshtarit”, ka thënë Luan Rama. Ai shtoi se “5 fituesit duhet t’i nënshtrohen ndëshkimit ligjor. Këtë duhet të bëjë politika dhe të mos marrë në mbrojtje asnjë kandidatë”, ka deklaruar Rama.  

Gazetari Rakipi ka pyetur panelistët se kush fitoi në zgjedhjet e 21 qershorit. “Trafiku ekstrem i votës në këshillat bashkiakë është ajo që evidentohet në këto zgjedhje. Dropulli ka minoritarë dhe Mirdita nuk ka, por PBDNJ ka marrë më shumë vota në Mirditë sesa në Dropull. Kjo e deformon procesin. Nëse këta njerëz janë zgjedhur nga trafiku i votave, e imagjinoni sesi do të administrohet pushteti vendor?” ka deklaruar Krasniqi.

SHKARKO APP