Të pathënat e Koncertit të Al Bano Karrisit në Tiranë

Koncerti i këngëtarit të njohur në Shqipëri, me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës

Nga Zenepe Luka/Më 17 shtator, me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës, shoqata kulturore “Al Bano Karrisi”, mbështetur nga sponsor gjeneralë RTSH dhe Bashkia e Tiranës, organizoi në Pallatin e Kongreseve koncert falas me gjeniun e këngës italiane Al Bano Karrisi. 17 shtatori ishte edhe data e 27- vjetorit të koncertit të parë, që dha Al Bano e Romina Pouer në vitin 1989 në Shqipëri. Në pritje të këtij eventi, shoqata, kishte hartuar një program të gjerë.

Më 16 shtator, Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj i dha çelësin e kryeqytetit. Gjatë dy ditëve këngëtari dhe trupa e tij, patën një axhendë të ngjeshur, duke bërë vizita në Durrës dhe në ambiente interesante në kryeqytet dhe në periferi. Al Bano u përcoll në aeroportin “Nënë Tereza” mëngjesin e 18 shtatorit, duke përcaktuar një datë, për t’u rikthyer në qytetin hero të Vlorës, tashmë, si banor i lagjes “Pavarësia”, ku ndodhet edhe shoqata “Al Bano Karrisi”.

Koncerti

Ishte planifikuar që me rastin e 20- vjetorit të shoqatës kulturore “Al Bano Karrisi”, marrjes së nënshtetësisë shqiptare, nga këngëtari, të organizohej koncert në Sheshin “Nënë Tereza” dhe përafërsisht u vendos data 26-27 korrik. Kjo datë u fiksua edhe në kontratën e Shoqatës me RTSH, që mbajti peshën kryesore të shpenzimeve dhe mori ekskluzivin e koncertit. Pati një arsye madhore, që çoi në shtyrjen e datës, pasi këngëtari ndërpreu të gjitha koncertet, për shkak të dhimbjes, që përjetoi për ndarjen nga jeta të mbesës së tij, Natasha. Vonë është vendosur prej këngëtarit, nëse do ta bënte koncertin në datën e propozuar nga shoqata më 17 shtator. Kjo vonesë çoi në konflikt të RTSH-së me shoqatën, që kërkoi prishjen e kontratës dhe kthimin e honorarit, që kishte shkuar 2 muaj më parë në bankën e Leçes. Në këtë situatë, u vu në pikëpyetje organizimi i koncertit, që u zgjidh vetëm tre ditë përpara se të organizohej eventi.

 Shpenzimet e udhëtimit, 6000 euro, borxh te kambisti në Vlorë

Gjatë 4 muajve, shoqata ka dërguar mbi 100 kërkesa zyrtare tek institucionet e shtetit, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Ministria e Kulturës, për të mbështetur këtë event, përballuar shpenzimet e udhëtimit të këngëtarit dhe grupit. Në takimin dhe lutjen që i bëra Dhomës së Tregtisë në Tiranë, drejtuesit më thanë: “Jemi në gjendje kritike me shpenzimet”. Ministrja Mirela Kumbaro, si gjithmonë indiferente, ndaj Shoqatës tonë, megjithëse kërkesa ishte cikluar edhe nga Kryeministria, na u përgjigj shkurt: “Jo”. As Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, që na priti në një takim të ngrohtë, nuk mundi të na nxjerrë nga situata, megjithëse premtoi se do të bisedonte me bankat e nivelit të dytë, që ligji ju krijon hapësirë të sponsorizojnë.

Shpresa e fundit ishte lutja që i bëmë z.Enver Mehmeti, përfaqësuesi i “Al Italia” në Shqipëri, por edhe këtu na refuzuan ndihmën.

Shpëtimin e gjetëm tek komshiu im, në lagjen “Pavarësia” në Vlorë, që pasi i tregova situatën, duke shprehur respektin ndaj meje, por duke qenë edhe një fans i Al Banos, më dorëzoi menjëherë 6000 euro borxh, për t’i shlyer brenda një muajit. Të hollat u përcollën menjëherë nga shoqata në bankën e Leçes, ku ishte bërë edhe rezervimi i biletave.

Beteja për foninë 20.000 euro

Pasi u sigurua prenotimi i biletave, nis beteja për të siguruar foninë, që do të transmetonte koncertin. Si edhe në dy koncertet e tjera, që e kemi organizuar si shoqatë me këngëtarin në Tiranë, në vitet 2004 dhe 2009, Al Bano ka pasur kërkesa të rrepta për foninë, që do ta shoqëronte, çka është normale, si për çdo këngëtar. Këmbëngulja e tij dhe personelit teknik ishte, që të siguroheshin aparaturat cilësore, pasi koncerti do regjistrohej nga RTSH. I pari që komunikuam për vënien në dispozicion të fonisë, ishte Erjon Zaloshnja, i cili ka mundësuar edhe transmetimin e dy koncerteve të tjera të Al Banos. Ai na tha: “Është punë e madhe, për ta vendosur në shesh”. Tha se i kishin shumë borxhe të tjerët, se i duhej të bashkëpunonte me dikë tjetër dhe çmimi shkonte në 12 mijë euro. Shkurt, nëse nuk paguheshin në dorë 5 mijë euro, fonia nuk sigurohej. Shoqata kishte në dispozicion vetëm 5 milionë lekë të vjetra, që i detyrohej RTSH, pasi të bëhej regjistrimi i koncertit.

Një telefonatë e papritur, na hodhi përpjetë nga gëzimi jo vetëm mua, por edhe miket e mia, që më rrinin pranë si Aksinja Xhoja, ardhur nga Brindizi, Irini Qirjako, Tefta Radi, Vitore Stefa Leka, ardhur nga Trieste, Vllasova Musta, Vitore Sallaku, Silvana Brace etj. Telefonuesi i panjohur, u shpreh: “Jam Altini, që kam foninë dhe e vë në dispozicion të koncertit të Al Banos, punoj me Bashkinë e Tiranës dhe numrin tuaj ma dha zonja Julia Dhame, me të cilën bashkëpunoj për veprimtari të ndryshme”. E pyeta se cila ishte kostoja? “E rëndësishme është të bëjmë koncertin”,- na komunikoi ai.

E pritëm të nesërmen, por shpresa u “vra” me fjalën e parë të Altinit. “Dua 20.000 mijë euro në dorë dhe të fillojmë nga puna që tani, se koha nuk pret”. Pas kësaj fjalie çdo përpjekje për të negociuar me ata që na erdhën si ndihmës ishte e kotë.

Kontaktet me Qeverinë

Në këto rrethana, kur edhe katër ditë duhej të bëhej koncerti dhe dy ditë vinte këngëtari, iu drejtuam zv/kryeministrit Peleshi, me e-mail, me celular, me kërkesë zyrtare dhe protokoll. Ishim një grup grash, intelektuale, pjesë e Shoqatës dhe Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”. Kërkesa nuk lidhej me motive personale, por për të na mundësuar dhënien falas të sallës së Pallatit të Kongreseve për koncertin. Drejtoresha e Shërbimeve Qeveritare, znj. Kamela, kërkonte menjëherë 5 milionë lekë të vjetra, ndryshe dera nuk hapej. Nuk morëm asnjë përgjigje nga zv/kryeministri, por vartësit e tij na njoftuan se e kishte axhendën të ngjeshur. Nuk kishte kohë të priste as këngëtarin.

Al Bano: Do e kisha sjellë foninë nga Italia…

Tre ditët e fundit, deri në mbërritjen e këngëtarit, më 16 shtator ishte një luftë nervash dhe kaos me institucionet. Grupi teknik i këngëtarit, që drejtohej nga Alessandro Vanara kërkonte të dhënat për foninë, sipas parametrave që kishin kërkuam ndryshe koncerti anulohej. Ne ende nuk kishim asnjë aparaturë. Mora përsipër riskun t’i njoftoj se gjithçka do të rregullohej dhe të niseshin drejt Tiranës. Bashkë me Aksinja Xhojën, “Mjeshtër i madh”, pianistja e famshme shqiptare, që prej ditësh ka qëndruar në Shqipëri me bashkëshortin Marcelo, një kameraman dhe fotograf i përsosur, pritëm këngëtarin në orën 9.00 të datës 16 shtator në Rinas. Pas fjalës “Mirëserdhët dhe “Mirë se ju gjeta” pyetja ishte: “U zgjidh problem i fonisë, do të jepet koncerti?”. “Gjithçka do të rregullohet, Al Bano”,- i përgjigjem.- “Kam besuar dhe besoj tek ti,- më drejtohet Ai,- ke dhënë prova për gjatë 20 viteve që organizon veprimtari me shoqatën, që ka emrin tim”. Pavarësisht fjalëve, vështrimi i tij shprehte keqardhje.

Holli i “Sheraton”, kurrë nuk kishin parë kaq shumë zhurmë e debat, se sa 24 orët e 16-17 shtatorit. Shqetësimi i këngëtarit dhe trupës, tashmë kishte arritur kulmin. Al Bano kërkon shpjegime: “Cili është problemi, përse më solle mikja ime, nëse nuk ishe gati. Përse nuk më the mua? Ta sillja Foninë nga Italia për 5000 euro dhe të mos vuaje në këtë mënyrë dhe unë të mos vihem në pozitë të vështirë. Më thuaj, të flasim si shqiptari me shqiptaren, çfarë duhet të bëjmë për të dalë nga situata?”. Përgjigja ime ishte një breshëri lotësh, që e preku tej mase këngëtarin, i cili më pas, më ra shpatullave dhe u ngjit në suitën e tij në katin e dytë. Për të zgjidhur ngërçin, u vu në lëvizje një biznesmene, artdashëse dhe fanse e këngëtarit, president e “Airambulance/Silco”, që prej ditësh ishte angazhuar për të ndihmuar për këtë event. Nuk e njihja, por ajo kishte marrë një porosi nga mikja ime, Shpresa Becaj, që të impenjohej për këtë event.

“Përveç 2500 euro që i kam në çantë, fonia kërkon edhe 2 milionë lekë të vjetra, në dorë tani, në mënyrë që të vihet në lëvizje dhe të montojnë foninë. Të hollat e tjera, pas koncertit, sipas një kontrate të firmosur prej teje”, më thotë ajo. “Ku t’i gjej tani, ora 21:00”,- përgjigjem. Silvana ngre supet…

Telefonata me prof. Dr.Sabit Brokaj

Vendosa të telefonojë disa miq të mi. Bëra disa telefonata, të gjithë shprehnin keqardhjen, por nuk më ofruan ndihmë. I vetmi që më ndjeu, ishte Prof.Dr.Sabit Brokaj, një mik i hershëm, para të cilit, përkulem me nderim. “Eja, në shtëpi. Do të ndihmoj, është fjala për koncert bamirës për Nënë Terezën”,- u përgjigj ai.

Me një frymë, së bashku me Aksinjën, në mjetin, që drejtonte bashkëshorti saj italian, Marcelo, ngjitëm shkallët deri në katin e katërt, ku Prof.Brokaj, jeton në një apartament aq thjeshtë.

Më pyeti si është puna. I rrëfeva ato që mund të thosha në nxitim e sipër. “Më vjen keq, që gjithë jetën mbete duke sakrifikuar e rriskuar, për këtë vend”,-thotë profesori dhe më zgjat zarfin me shumën, që më kishin kërkuar. Ishte ora 22:00, kur dorëzova zarfin. Pas kësaj i nisa SMS këngëtarit, që të flinte i qetë. Fonia do të ishte gati për koncertin. Duke shkuar në hotel “Stela” ku më priste mikja ime Vitore Stefa Leka, ardhur nga Trieste për Koncertin, i bëra disa pyetje vetes: “A janë pasardhësit e Nënë Terezës, këta njerëz, a kanë ndonjë molekulë gjaku e qelizë humanizmi të Shenjtores, që i përkulet bota mbarë, së cilës i dedikohej ky koncert me gjeniun e këngës italiane, Al Bano Karrisi, që për lekun, ishin gati të rripnin lëkurën?!”.  E nesërmja, 17 shtatori, ishte një ditë me punë intensive me konferencë shtypi, intervista me këngëtarin. Për të saktësuar koncertin në sallën e Kongreseve dhe siguruar pjesëmarrjen, në koncertin e orës 19:00, që ishte një problem më vete.

48 orë me këngëtarin në Tiranë

Shoqata  kishte programuar gjithë aktivitetet e qëndrimit të këngëtarit dhe grupit të tij në Tiranë, i cili mori dhe nënshtetësi shqiptare. Ishte parashikuar që në gjendjen civile të lagjes nr. 5, të jepte gjurmët e gishtave dhe të bënte betimin si shqiptar. Ishte një punë e mundimshme, që zgjati muaj, për të pajisur këngëtarin me pasaportë shqiptare. Të vetmen lehtësi na e dha Presidenti i Republikës, z.Bujar Nishani, që pas plotësimit të dokumentacionit nga këngëtari dhe dorëzimit të dosjes nga ana jonë si shoqatë, nxori menjëherë dekretin. Një mori dokumentesh të tjera, me të drejtë, sipas ligjit, kërkoheshin, deri në regjistrimin e tij si shtetas shqiptar. Pa një porosi të zv.ministrit të Brendshëm, z. Stefan Cipa dhe impenjimit të drejtorit të Përgjithshëm të gjendjes civile z.Bledar Doracaj, drejtorit të dokumentacionit, Sokol Peza dhe deri tek Diana, përgjegjësja e zyrës së gjendjes civile të lagjes, do të ishte e pamundur të kryheshin veprimet.

Megjithëse ambienti ishte shumë i vogël, për rreth godinës, u grumbulluan jo vetëm punonjësit, por edhe qytetarë, që gjendeshin rastësish aty. Pasi i mori gjurmët, personit që kryente këtë proces nga firma përkatëse, iu desh ta përsëriste disa herë foton e tij, herë me syze, herë pa to, deri sa u fiksua më mira, sidoqë, vetë Al Banos, nuk i pëlqeu. Atij iu desh të hiqte kapelën, që ishte kusht dhe dikush dha një krehër për t’u krehur. Sipas ligjit, çdo shtetasi i huaj që merr pasaportën shqiptare, duhet të bëjë betimin. Kjo iu komunikua edhe Al Banos. U futëm në zyrën e përgjegjëses Diana, e cila pasi e përgëzoi këngëtarin dhe i shprehu mirënjohjen, që tashmë ishte nënshtetas shqiptar dhe i shpjegoi procedurën.

Përse u bënë këto veprime?- pyet Al Bano? Gjurmët e gishtave u vendosën me qëllim, që nëse Albano Karrisi, tashmë shtetas shqiptar, bën diçka të kundraligjshme, policia shqiptare e identifikon menjëherë. Ndërsa betimi ka lidhje me besën që i jep shtetit shqiptar, se do të jesh korrekt, do të zbatosh me përpikmëri të gjitha ligjet e tij… Ai ka përmendur vetëm fjalën betohem dhe më pas ka nisur biseda me punonjësit dhe drejtorin Doraci, që kish përfunduar studimet në Leçe. Pasdite vonë, shkuam në Drejtorinë e Policisë Tiranë, ku tërhoqi pasaportën dhe në prani të të gjithëve puthi faqen e parë të kapakut të saj, ku është shqiponja dhe sipër shkruhet, Republika e Shqipërisë. Këngëtari e futi dokumentin në xhepin e majtë të xhaketës, duke u shprehur: Do ta mbaj gjithë kohën afër zemrës.

Veliaj i jep Çelësin e Tiranës

Ka qenë ora 12:00 e të premtes, kur këngëtari është pritur në bashkinë e qytetit nga Kryebashkiaku Erjon Veliaj dhe stafi i tij. Në hyrje të institucionit u prit nga një grup grash, personalitete të njohura, anëtare të Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”. Irini Qirjako i dhuroi këngëtarit një buqetë me lule. Veliaj i uroi mirëseardhjen dhe i shprehu mirënjohjen për kontributin që ka dhënë, që nga koncerti i parë në 17 shtator të vitit 1989, në rënien e regjimit, ardhjet e tij të herëpashershme dhe në këtë ditë, për të dhënë një koncert bamirësie me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Al Bano u shpreh se, dashuria e tij për Shqipërinë, ka në themel dashurinë dhe mirënjohjen e të atit Carmelo Karrisi, që ka qenë ushtar gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, i cili e rriti me dashurinë për këtë vend. “Unë jam krenar, që emri im, simbolizon Shqipërinë, që kam pasaportë shqiptare dhe Ju më dorëzoni Çelësin e Tiranës. Kjo do të thotë shumë për mua. Unë jam 24 karat shqiptar”,- tha ai. Përpara se të ndaheshim me kryetarin e bashkisë, e hoqa mënjanë dhe i thashë në vesh. Z.kryetar, na ndihmo për të marrë Sallën e Kongreseve, rrezikohet koncerti nesër. “Shkoni pa merak”,- më rrahu ai supet.

Vizitë në qytetin e Durrësit

E priti me kënaqësi udhëtimin drejt Durrësit. Tashmë, unë dhe Aksinja, ishim të qeta, pasi edhe salla u sigurua nga kryetari i bashkisë Veliaj. Por, peripecitë, nuk kanë të sosur. Në dispozicion të këngëtarit,sa kohë do të qëndronte në Tiranë, ishte caktuar një mjet nga bashkia e qytetit, që sikurse na thanë, ishte i Drejtores së Projekteve, zonjës Julia Dhama. Çuditërisht, megjithëse drejtuesit iu tha se do të lëvizte këngëtari, ai ishte larguar, pa thënë asnjë fjalë, duke lënë këngëtarin 40 minuta në pritje. Zgjidhja ishte vënia në dispozicion një taksie, për të udhëtuar drejt Durrësit. Këtë aventurë Al Bano e priti me të qeshur. Pas telefonatës, që i bëmë nënkryetarit të bashkisë z.Seferi, menjëherë mbërriti shoferi simpatik që quhej Xhiku, me një makinë luksoze. Favori që kërkoi Xhiku, ishte një foto me këngëtarin, që edhe për të ishte i zemrës. Një shëtitje buzë detit, foto pafund nga qytetarë, që i morën frymën dhe më pas dreka e shijshme, ku dominonte peshku i freskët.

Finalizohet koncerti

Kjo datë e shënuar, ishte edhe dita më e rëndësishme e eventit. Ishte planifikuar konferencë shtypi në ambientet e “Sheraton”, por në recepsion na ndaluan, pasi duhet të paguanim sallën. Nuk lejohej as në mjediset e jashtme, kësisoj u detyruam të spostohemi në ambientet e vilës Aleandro.  Al Bano përmes emocionesh u shpreh se për të është një datë e shënuar 17 shtatori, pasi i kujton koncertin e parë në Shqipëri, 27 vjet më parë. Ai falënderoi shoqatën Kulturore, që ka emrin e tij në Shqipëri, që për gjatë 20 vjetëve, ka organizuar shumë aktivitete kulturore këtu dhe në Itali, që kanë shërbyer si urë miqësie mes dy popujve tanë.  Ai foli gjatë për ardhjet e tij në Shqipëri dhe dashurinë që ka për këtë vend, që simbolizohet me emrin Al Bano. Në fund ai nxori pasaportën shqiptare dhe duke ia treguar kamerave, u shpreh: “Tani jam 24 karat shqiptar”.

Sytë dhe veshët, të gjithë i kishim nga eventi më i rëndësishëm, Koncerti. Një shi i rrëmbyeshëm, që iu shtua telasheve, erdhi pikërisht në orën që duhej të futeshin njerëzit në sallë. Por, sido që me vonesë, salla u mbush. Al Bano e ka çelur vetë koncertin, si gjithmonë, por këtë herë ka folur shqip. Ai u shpreh në gjuhën e vendit të tij të dytë, sikurse e vlerëson Shqipërinë me këto fjalë: “Kam ardhur për herë të parë në vitin 1989 në Shqipëri. Sot në këtë sallë, është një shqiptar më shumë, pasi kam marrë pasaportën shqiptare”.

Pasi puthi simbolikisht tokën, sikurse bëri në vitin 1989, kur zbriti për herë të parë në Aeroportin e Rinasit, këngëtari me mikrofon në dorë, la skenën dhe u zhyt mes spektatorëve, që me këngën e tij në gojë, kërkonin vetëm ta preknin dhe të arrinin të bënin një foto.

Surpriza e Shpresa Becaj dhe vajzës së saj diplomate

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Al Bano u shoqërua edhe nga shumë gra intelektuale, pjesë e fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, fanse të tij, por emocione të veçanta krijoi darka e përcjelljes. Zonja Shpresa Becaj, ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë, vetëm pak orë më parë, se të fillonte koncerti, na thotë se dëshironte, që bashkë me vajzën e saj diplomate, që kishte ardhur enkas nga Stambolli, të shtronte darkën e përcjelljes tek restorant “Meksikani”, që ndodhet tek kompleksi Dinamo. Kur ia komunikuam këngëtarit, këtë propozim, ai tha: “Ok, të provojmë edhe gatimet meksikane”. Ishte një darkë ndryshe, që krijoi emocione tek të pranishmit, grupi dhe vetë Al Bano, që e falënderoi protagonisten dhe e ftoi në Celino San Marko.

 Largimi nga Shqipëria

Në orën 9:30, u bë nisja drejt aeroportit “Nënë Tereza”. Pak minuta para nisjes, tek dera e “Sheraton”, u shfaq ambasadorja e Kinës në Tiranë, që u shkëput nga delegacioni kinez, që shoqëronte dhe më përqafoi. Al Bano pyeti: “Kush është kjo kineze?”. Pasi i tregoj, më thotë. “Kam qenë në Kinë, kam dhënë koncert në Pekin, Shangai”. Bisedoi me ambasadoren të shkojmë në Honkong, tashmë edhe si shqiptar. Gjatë qëndrimit bashkë 1 orë në aeroport, Al Bano Karrisi dha një intervistë ekskluvizve për “Koha Jonë”, që do të botohet në ditët e ardhshme. Fjala e fundit, teksa po largohej drejt avionit ishte: “Faleminderit, takohemi së shpejti në Vlorë”.  Pavarësisht vështirësive të mëdha, stresit deri në brengë, rëndësi ka, që u bë koncerti me këngëtarin Al Bano Karrisi në sallën e Kongreseve, me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Shoqata Kulturore “Al Bano Karrisi”, ju shpreh mirënjohjen: Sponsor i Përgjithshëm RTSH, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z.Erjon Veliaj, kompanive “Agna”, “Tring”, “Ambulance Silco” me president Silvana Ismaili dhe hotel “Diplomat”, gazeta “Mezigiorno” dhe TV Top Channel.

U rrëfeva në këtë special, jo vetëm për të treguar peripecitë për organizimin e këtij eventi, që pas tij më dërgoi në spital, por edhe për t’u rebeluar, si intelektuale, gazetare, se sot në këtë vend, vendin e parë e zë leku, pasurimi dhe se duhet të sakrifikohesh, për të bërë një veprimtari kulturore për qytetarët e stresuar nga grindjet, sherret,ligësitë ndaj njëri -tjetrit, që Shenjtore Nënë Terezën e përmendin për krenari, por në të vërtetë, zor se kanë një molekulë të gjakut të saj bamirës, human.

SHKARKO APP