Të pathënat e ”pasaportës Covid” për udhëtarët, 7 përgjigjet që duhet ti dini
E njohur rëndomtë si ”pasaportë Covid”, por një certifikatë shëndetësore e cila do jetë në version elektronik. Ajo përmban informacione personale për gjendjen shëndetësore në lidhje me Covid-19, nëse jeni prekur dhe riaftësuar, nëse keni bërë analiza së fundmi dhe çfarë ka rezultuar prej tyre, si dhe nëse jeni vaksinuar. Me këtë certifikate do të lejohet udhëtimi në shtetet anëtare të BE-së, por edhe shtete jo anëtare do të kenë qasje për certifikatën.
Kur mund të aplikohet?
Rregullat e reja do të hynë në fuqi prej 1 qershorit dhe do të kenë një periudhë tranzitore prej 6 javësh për të gjitha shtetet që do të kenë nevojë për më shumë kohë për t’u përgatitur.
Sa do të kushtojë?
Certifikata elektronike për Covid-19 do të jetë pa pagesë.
A do të jetë e sigurt?
Certifikatat do të kenë një nënshkrim elektronik që do të lëshohet nga spitalet, apo autoritetet shëndetësore. Secila certifikatë do të ketë nënshkrim unik që do të ruhet në një sistem të përgjithshëm që do të qaset nga vendet e unionit dhe nuk do të kërkojë verifikime shtesë.
Sa do të jetë vlefshmëria?
Vlefshmëria e certifikatës do t’u lihet për t’u përcaktuar nga vetë shtetet dhe autoritetet shëndetësore.
Do të jetë e përhershme?
Ky plan është vetëm për periudhën e pandemisë. Brukseli pret që pasi OBSH-së të heqë gjendjen e pandemisë botërore të mos kërkohet më certifikatë shëndetësore për lëvizjet.
Cilat vaksina njihen nga shtetet e BE?
Të gjitha vaksinat e autorizuara nga Agjencia Evropiane e Mjekësisë, do të njihen për certifikatat elektronike të lëvizjes së lirë. Vaksinat e autorizuara deri më tani janë: Pfizer/BioNTech, Moderna, Oxford/AstraZeneca dhe Johnson&Johnson.
A do të lejohet udhëtimi për të pavaksinuarit?
BE ka deklaruar që në fillim se certifikata nuk do të bëhet parakusht kryesor për udhëtimet në union, por një lehtësues duke mos cenuar të drejtën e qytetarëve për të lëvizur. Komisioni Evropian ka njoftuar që në mars se qytetarëve do t’u mundësohet lëvizja përmes një testi negativ ose një informacioni rreth riaftësimit nga Covid-19, të cilat do të përfshihen në certifikatë.