Të pathënat e përpjekjeve të Shqipërisë për sigurinë euroatlantike
Arian Starova/Ishte padyshim shumë mirë që Mbledhja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s u mbajt në Tiranë për herë të parë. Roli mikpritës dhe organizues i Shqipërisë për këtë veprimtari natyrisht që duhet përshëndetur dhe vlerësuar.
Të gjitha “tjerrjet” e tjera përmbi rëndësinë e këtyre fakteve që u shkruan apo na dëgjuan veshët gjatë atyre dy ditëve të kësaj ngjarjeje ishin teprime mediatikë. Dhe siç ndodh gjithnjë me ne shqiptarët, përsëri nuk reshtën përpjekjet për ta “privatizuar” politikisht këtë mbledhje në dobi të së majtës qeverisëse. E para hollësi protokollare që ra në sy ishte mospjesëmarrja në të e njerëzve apo e organizatave të interesuara për të të cilëve u përkiste që të ishin ndër të ftuarit e kësaj Asambleje të rëndësishme. Në përpjekje për të mësuar se përse u ndoq një kufizim i tillë me ftesat nga ana e organizatorëve të Kuvendit, thuhej se gjoja lista e të ftuarve ishte tërësisht në dorë të organizatorëve të huaj çka nuk është e vërtetë për disa arsye fare të thjeshta. NATO dhe të gjithë institucionet përreth saj si Asambleja parlamentare janë shumë të interesuar që të ndajnë informacion me sa më shumë njerëz institucionalisht të interesuar për çështjet e sigurisë së sotme ndërkombëtare dhe prandaj ata kanë gjithnjë një numër të caktuar të ftesave për personalitetet të ndryshëm dhe shoqërinë civile. Prandaj, Asambleja Parlamentare u dërgon gjithnjë ftesa përfaqësuesve të organizatave të ndryshme të sigurisë kur bën mbledhjet e saj. Ndërsa me shqiptarët, ndodh e kundërta, pikërisht atëherë kur kjo ngjarje ndodh në Shqipëri, shumë aktorë shqiptarë të paanashkalueshëm të çështjeve të sigurisë nuk u ftuan?! Nuk është e vërtetë as se arsyet e këtij “privatizimi” ishin siguria e mbledhjes, sepse atje ku marrin pjesë qindra vetë mund të marrin pjesë edhe disa dhjetëra të tjerë. Dërgimi i shumë ftesave për të marrë pjesë në pritjen që u organizua nga Kryetari i Kuvendit, Zoti Meta, në Pallatin e Brigadave përveçse ishte diçka e mirë, tregon se kufizimi i ftesave për mbledhjen nuk ishte pra çështje sigurie, ndonëse shumë prej atyre që ishin në pritje ishin më të interesuar të dëgjonin se çfarë u fol dhe u diskutua në seancat e mbledhjes. Publiku shqiptar është edhe taksapaguesi që bën të mundur kontributet financiarë shqiptarë për Aleancën dhe prandaj nga çdo këndvështrim, Asambleja Parlamentare është shumë e interesuar për përhapjen e informacionit dhe të ideve të diskutuara gjatë punimeve të saj si në sallë edhe jashtë saj. Edhe në Kuvendin e Shqipërisë ashtu si në çdo parlament tjetër qytetarët kanë të drejtë të ndjekin seancat parlamentare, madje Parlamenti gjerman për këtë arsye i ka korridoret me ndarje të xhamtë të tejdukshëm me synimin që vizitorët të mund të shohin dhe të dëgjojnë se ç’bëhet në seancat parlamentare. Dhe të tjera, … çka tregojnë se ajo fare mbylljeje e Asamblesë ndaj të pranishmëve të tjerë të mundshëm dhe të dobishëm ishte krejt “shqiptare” në kuptimin e keq të fjalës…
… e megjithatë, kjo mbledhje do të mbetet një ngjarje shumë e rëndësishme sepse u zhvillua pak përpara Mbledhjes së Nivelit të lartë të NATO-s në Varshavë, u zhvillua në një kohë veçanërisht të rëndësishme në këndvështrimin e rreziqeve shumë të paparashikueshëm me të cilët po përballet bashkësia e vendeve euro-atlantikë dhe përcoll me interes të gjerë nga publiku shqiptar i cili në fund të fundit është përfituesi kryesor i përpjekjeve euroatlantike për forcimin e paqes dhe sigurisë së vendeve të Aleancës Atlantikoveriore.
Ajo për të cilën mendova më shumë dhe çka më shtyu ta bëj këtë shkrim është kryesisht vetëm një pyetje: A është Shqipëria atje ku duhet në lidhje me mbajtjen e përgjegjësive të saj si anëtare e NATO-s?
Dy vjet më parë, në Mbledhjen e Nivelit të Lartë të NATO-s në Uells, Shqipëria shprehu përkushtimin për rritjen e pjesë pjesshme të buxhetit të saj të mbrojtjes duke arritur cakun e shifrës 2% brenda pak viteve, mundësisht brenda vitit 2020. E vërteta e sotme është se buxheti i mbrojtjes nuk është më i madh sesa 0,87%, pra nuk është rritur që prej dy vjetëve. Shqipëria pra nuk e ka mbajtur këtë premtim për dy vjetët e shkuar dhe për këtë nuk u dëgjua asnjë fjalë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Le të shpresojmë që do ta mbajë gjatë viteve të ardhshëm, siç u tha në këtë Asamble.
Megjithatë, në drejtime të tjerë, Shqipëria është e vlerësuar si nga NATO ashtu edhe nga vende të veçantë të saj për pjesëmarrjen dhe mirëveprimin në misionet ndërkombëtarë të NATO-s, për reformat e ndërmarra dhe modernizimin në Forcat e Armatosura, për politikën e paqes, të dialogut dhe të bashkëpunimit ushtarak në rajon dhe për qëndrimet e saj politike në mbështetje të Aleancës. Është me vlerë që të gjitha qeveritë shqiptare të majta apo të djathta kanë meritën e tyre në këto vlerësime.
Sidoqoftë, ana ushtarake është vetëm një pjesë e mënyrës sesi mbrohet një vend apo një grup i vendeve siç janë vendet anëtarë të NATO-s. Ana tjetër shumë e rëndësishme është ekonomia, sepse pa të as forcat ushtarake nuk mund të mbahen. Për Shqipërinë, e cila ende ka një ekonomi që prodhon fare pak pasuri të re, sepse gjatë 25 vjetëve të shkuar nuk është menduar thuajse fare për këtë (me përjashtim të ndërtimit të hidrocentraleve të rinj dhe ndonjë miniere të veçantë), themeli i krijimit të një ekonomie të tillë prodhuese e cila ia shton pasurinë çdo vit vendit janë ato që quhen vlerat euroatlantike. Janë këto vlera, të cilat në thelb janë shprehje e lirisë njerëzore të një shoqërie demokratike, ato që bëjnë të mundur lulëzimin e vërtetë të një ekonomie kombëtare. Këto vlera mishërohen në institucionet demokratikë të një shoqërie dhe kur kjo nuk ndodh atëherë as ekonomia e shoqërisë nuk përparon. Pra, pa vlerat demokratike euroatlantike nuk ka ekonomi të përparuar dhe pa ekonomi të tillë edhe mbrojtje ushtarake të fortë nuk mund të ketë. Fatkeqësisht, pavarësisht prej përpjekjeve që bëhen, Shqipëria vuan shumë prej braktisjes së këtyre vlerave. Institucionet demokratike të Shqipërisë vuajnë rëndë nga korrupsioni, paaftësia dhe klientelizmi i gjithfarë llojeve. Rrjedhojë e kësaj keqqeverisjeje janë edhe kultivimi dhe tregtia e paligjshme e bimëve drogë-prodhuese veprimtari që këtë vit ndoshta po arrijnë kulmin e tyre. Është rrjedhojë e të gjitha këtyre dukurive edhe ekzistenca e një sistemi drejtësie të korruptuar dhe të padrejtë që ua merr frymën qytetarëve duke ua zbehur vlerësimin për shoqërinë demokratike.
Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Zoti Alexander Vershbovv në një fjalim të tij në Krakovv të Polonisë, në 4 marsin e kaluar tha: “Vija jonë e parë e mbrojtjes nuk janë trupat ushtarakë ose armët e rënda, por qeverisja e frytshme: institucionet që janë – dhe mendohet se janë – në anën e qytetarëve. Çdo anëtar i Aleancës së NATO-s është i përkushtuar ndaj vlerave tona të lirisë, demokracisë, sundimit të ligjit dhe të të drejtave të njeriut. Ne duhet të vazhdojmë të gjithë të investojmë në këto vlera çdo ditë … ”. Ndërsa në fjalimin e tij në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Tiranë ai u shpreh: “Ne kemi parë gjatë dhjetëvjeçarëve se anëtarësimi në NATO mund të ketë një ndikim shndërrues mbi vendet anëtarë. Forcohen institucionet demokratikë. Rritet përkushtimi i tyre ndaj tregjeve të lirë, të drejtave të njeriut, lirive vetjake dhe sundimit të ligjit. Dhe të gjitha këto ndihmojnë për vendosjen e themeleve të përparimit ekonomik dhe të qëndrueshmërisë politike.”
Nëse Shqipëria ka probleme seriozë me institucionet demokratikë të saj, atëherë rrjedhimisht, kjo gjendje e brendshme e vendit e cila rëndon mbi qytetarët shqiptarë do të çojë drejt zhvillimit të një kontradikte të acaruar popull-qeveri ose opozitë-qeveri e cila dobëson edhe qëndrueshmërinë dhe sigurinë e brendshme të vendit. Përvoja ndërkombëtare tregon se kur ka probleme të tillë me institucionet e një vendi ata nuk janë të mbrojtur as nga ndërhyrjet e gjithëfarëshme të grupeve të ndryshëm kriminalë, as nga njerëzit e terrorizmit ndërkombëtar.
Kështu arrijmë pashmangësisht në përfundimin se Shqipëria e sotme ndodhet në rrethana të tilla të paarsyeshme në të cilat ndërkohë që ajo ndihmon për sigurinë ndërkombëtare në përbërje të NATO-s jashtë kufijve të saj, është duke mos e penguar minimin apo dobësimin e dalëngadalshëm të sigurisë së brendshme të vendit. Në Asamblenë Parlamentare të NATO-s të dy ditëve më parë nuk u dëgjua asgjë prej këtyre shqetësimeve shumë seriozë nga goja e përfaqësuesve të qeverisë. Kjo gjendje e vendit nuk duhet të vazhdojë më. Është e domosdoshme që ajo të ndryshojë. Vazhdim i një gjendje të tillë do të thotë që Shqipëria të mos mbështetet më në vlerat që qëndrojnë në themel të Aleancës së NATO-s. Dhe nëse kjo ndodh, hidhet në erë edhe vetë qenia e Shqipërisë si anëtare e NATO-s, sepse janë këto vlera demokratike ato që i kanë bashkuar vendet që i bartin ato në një aleancë politike- ushtarake që i mbron ato.
Është pikërisht ky këndvështrim i gjerë mbi rëndësinë e vlerave euroatlantike dhe të institucioneve demokratikë mishërues të tyre, ai çka i ka bërë kaq ngulmues përfaqësuesit e lartë të Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe të Bashkimit Europian në përpjekjet e tyre diplomatike për të miratuar paketën e reformës në sistemin e drejtësisë shqiptare. Për fat të keq, ecuria e këtyre përpjekjeve është kaq e paparashikueshme sa në peshoren vlerësuese të opinionit publik nuk është vënë vetëm përfytyrimi ndërkombëtar mbi Shqipërinë, por edhe ai për ShBA dhe BE. Prandaj, duket se ka ardhur koha që shërbimet ndërkombëtarë të inteligjencës të venë përpara fakteve penguesit e vërtetë të kësaj reforme në drejtësi prej së cilës do të nisë katarsis aq i shumëdëshiruar popullor i politikës dhe drejtësisë së Shqipërisë.
KOHA JONË SONDAZH

