Të prekurit nga tërmeti, Manastirliu: Urgjenca Kombëtare, kontribut të paçmuar
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka falënderuar ekipin e Urgjencës Kombëtare që dha kontribut të paçmuar për të lënduarit nga tërmeti. “Me Skënderin, Indritin, Aurorën, Junën, Eandën, Eraldin, Gresjetën, Eraldon, Besmirin, Erlindin, Marinin, pjesë e ekipit të Urgjencës Kombëtare që dhanë një kontribut të paçmuar për të lënduarit e tërmetit të 26 nëntorit!”, shprehet ministrja.
Po ashtu, Manastirliu shton se vazhdon puna e Urgjencës Kombëtare në shërbim të banorëve të dëmtuar nga tërmeti. “Edhe sot, si kurdoherë, në krye të detyrës”, shprehet ajo. Ministrja tha se ka patur më shumë se 340 mjekë dhe infermierë në terren, në mënyrë që shërbimi për banorët e prekur nga tërmeti të mos mungojë.
Po ashtu janë kryer 5600 vizita mjekësore për banorët e prekur nga tërmeti, ndërsa 530 të sëmurë kronikë marrin terapitë e mjekimit në njësitë akomoduese ku janë sistemuar dhe pikat e emergjencës. Nga statistikat e ditëve të fundit, janë 1500 qytetarë që u vaksinuan kundër gripit. Ekipi i Urgjencës Kombëtare vazhdon të jetë në terren 24 orë në 7 ditë në shërbim të banorëve të dëmtuar nga tërmeti.