Të rrezikuar në shtëpinë e dëmtuar, familja me 6 anëtarë thirrje shtetit t’i rindërtojë banesën
Sulejman Caka, shtëpia e të cilit ka dalë e pabanueshme si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit jeton mes rrezikut, në banesë bashkë me 5 familjarët e tij. Prej muajsh ai pret ti rindërtohet, por bashkia e qeveria nuk e kanë vënë ujin në zjarr. Ndaj ai kërkon një zgjidhje sa më të shpejtë.
Që pas 26 nëntorit, shtëpia e Sulejman Cakës nga fshati Brar në kryeqytet ka dalë e pabanueshme.
Lëkundjet e forta të tërmetit e dëmtuan shtëpinë e ndërtuar me mund dhe djersë për vite me radhë.
“Nuk kemi fuqi ta bëjmë, është e pamundur. Vetëm çuni është në punë, unë jam me pension bashkë me plakën. Jemi 6 veta.”
84-vjeçari, i zoti i shtëpisë, thotë se 2 muaj pas tërmetit u shpërgul tek djali tjetër me shpresën se do të gjendej një zgjidhje për të.
“U ktheva sërish se edhe ata janë kallaballëk, nuk kishin mundësi.”
6 anëtarë të kësaj familje prej kohësh tashmë janë rifutur në shtëpinë e dëmtuar, duke rrezikuar edhe jetën.
“Nuk ka siguri, gjumi është vdekje”.
Sulejmani duket se nuk i ka humbur shpresat, ndaj apelon për vëmëndjen e shtetit.
“E kanë parë, kanë ikur pa kryer gjë. Një orë e më parë është e nevojshme të bëhet.”
Tërmetet e fundit që përfshinë vëndin tonë i ka ndjerë së tepërmi kjo banesë, ndaj 84-vjeçari kërkon një zgjidhje sa më të shpejtë. /Ora News